BE mbështet integrimin dhe zhvillimin ekonomik të Shqipërisë

583

TIRANË, 4 prill /ATSH/- Bashkimi Europian ka ndarë 61.2 milionë euro në mbështetje të zhvillimit ekonomik vendor dhe integrimit në BE, në kuadrin e Programit të Veprimit për Shqipërinë 2017, nënshkruar nga Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, në fund të marsit.

Bashkimi Europian do të sigurojë 40 milionë euro për të nxitur zhvillimin ekonomik vendor për të mbështetur turizmin e qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm. Po kështu, ky program do të krijojë dhe testojë një model të zhvillimit ekonomik vendor, të udhëhequr nga turizmi në territore pilot si Berati, Fieri, Korça, Shkodra. Kjo e fundit do të mundësojë rritjen e atraksionit kulturor të Shqipërisë dhe cilësisë së ofertave turistike, infrastrukturës dhe shërbimeve.

Sakaq, 6.6 milionë euro të tjera do të vihen në dispozicion për të përmirësuar ekosistemin inovativ dhe për të mbështetur krijimin e kompanive fillestare.

Përveç kësaj, Programi për Integrimin Evropian do të ndajë 14.6 milionë euro për të ndihmuar Shqipërinë, institucionet e saj, shoqërinë civile dhe qytetarët drejt anëtarësimit në BE. Përmes këtij programi do të synojë harmonizimin me legjislacionin e BE-së, do të sigurojë skemën e bursave për stafin e administratës shtetërore, do të mbështesë strukturat e barazisë gjinore dhe organizatat e shoqërisë civile etj.

Po kështu, përmes programeve të posaçme të BE-së për vendin tonë, do të rritet pavarësia e transmetuesit publik dhe cilësinë e shkollës publike të gazetarisë si dhe do të forcohet pluralizmi i medias dhe do të nxitet liria e shprehjes./z.tosku//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.