Ahmetaj: TVSH për biznesin e vogël nuk rrit çmimet

TIRANË, 4 prill/ATSH/- Ministri i Financave dhe i Ekonomisë, Arben Ahmetaj në raportimin para grupit parlamentar socialist tha se Taksa mbi Vlerën e Shtuar për biznesin e vogël nuk është kosto as për biznesin dhe as për konsumatorët.

“Biznesi i vogël mbi 2 milionë lekë të reja, deri në 5 milionë lekë do t’i nënshtrohet detyrimit për deklarim të TVSH. Por, nuk ka rritje çmimesh, nuk ka rritje kostosh. Atë shumë të TVSH konsumatori e ka paguar në çdo shitje. Biznesi i vogël formal e ka të përfshirë në çmimin final TVSH në zinxhirin e vet. Në finale, konsumatori e ka paguar dhe nuk ka kosto për biznesin e vogël”, deklaroi ai. Në total janë rreth 11 mijë biznese të vogla që do të hyjnë në skemën e deklarimit të TVSH dhe Ahmetaj thotë se nuk bëhet fjalë për një taksë të re.

“Nuk është taksë e re. Është taksë e vjetër. Detyrimi për t’a deklaruar është detyrim administrativ pa ngarkesë kostoje”, vijoi ministri.

Arben Ahmetaj u ndal edhe tek taksa për pronat, ai tha se ka një paketë solidariteti social. Kjo paketë, sipas kreut të Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe përjashton nga kjo taksë pensionistët dhe familjet në ndihmë ekonomikë, ndërsa për shtëpitë të ndërtuara para vitit 1993 do të paguhet 30 për qind më pak.

Ndërtuesi 3% e jep për strehim social

Ministri i Financave tha se koncepti i 3%, ku ndërtuesi duhet të japë për strehim social në bashkinë përkatëse, është një praktikë e njohur ndërkombëtare.

“Sa i përket ligjit të strehimit të 3%, është iniciativë e jona. Koncepti i 3% është që një ndërtues që ndërton mbi metra katrore të caktuar, do të lerë 3% për strehim social në bashkinë përkatëse. Është praktikë e njohur ndërkombëtare. Është një politikë e qeverisë, opozita mund ta quajë si të dojë, por ne po punojmë për qytetarët në nevojë”, tha Ahmetaj.

Shkollat profesionale, si qendra multi-funksionale

Duke sjellë në vëmendje një qasje krejt ndryshe mbi shkollat profesionale, Ahmetaj tha se qeveria po bashkëpunon me Komisionin Europian mbi shkollat profesionale dhe transformimin e tyre në qendra me shumë funksione.

“Për shkollat profesionale po punojmë me Komisioni Europian. Ata po na këshillojnë që të kalojmë në qendra multi-funksionale. Nuk është çështje fondesh, por është qasjeje”, theksoi ministri.

Nga taksa e pronës, ulje të konsiderueshme për disa kategori

Në përgjigje të pyetjeve nga ana e deputetëve, Ahmetaj tha se sa i përket taksës së pronës, disa kategori do të kenë ulje të konsiderueshme.

“Sa i përket taksës së pronës, ne kemi punuar me 860 tabela të detajuara. Taksa është vjetore. Besoj se shumë kategori si, pensionistët e vetëm, ata që përfitojnë ndihmë ekonomike, ata që kanë shtëpi para 1993, këto kategori do të kenë ulje të konsiderueshme”, përfundoi Ahmetaj. /z.tosku/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.