Vlerat dhe historia e monumenteve të kulturës frymëzojnë brezin e ri

TIRANË, 3 Prill /ATSH/ – Vendet dhe monumentet më të rëndësishme të kulturës po frymëzojnë tashmë dhe brezin e ri të cilët shfaqin një interes të veçantë për eksplorimin dhe njohjen e tyre.

Programi “Edukimi përmes Kulturës” këtë herë trokiti tek nxënësit e klasave të dyta në shkollën 9-vjeçare “Hasan Prishtina”.

Nëpërmjet disa prej legjendave të njohura, fëmijët mësuan të çmojnë lashtësinë e vendit tonë dhe vlerat e trashëgimisë kulturore. Gjithashtu, fëmijët realizuan ngjyrosjen e disa skicave të monumenteve të ndryshme të Shqipërisë, duke mësuar kështu më shumë rreth tipologjive të ndryshme të objekteve monumente kulture si edhe materialeve ndërtimore të tyre, falë prezantimit të specialistëve të Institutit të Monumenteve të Kulturës.

Prezantimi i punëve nga nxënësit, kureshtja dhe entuziazmi i tyre treguan dhe njëherë një interesim të veçantë të cilët edhe pse të gjithë në moshë të vogël, ishin shumë të interesuar për të ditur rreth monumenteve të kulturës dhe historisë së tyre.

Programi “Edukimi përmes Kulturës” synon të informojë të gjithë grupmoshat rreth fushave të ndryshme si arti, kultura dhe trashëgimia, sepse bazat e njohurive nisin që në fëmijëri.

Monumentet e kulturës sonë kanë frymëzuar shumë legjenda e histori, të cilat janë trashëguar brez pas brezi dhe tregohen edhe në ditët tona./a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.