Tabaku: Tarifa për “Rrugën e Kombit”, antiligjore

TIRANË, 3 Prill /ATSH- I. Vata/ – “Tarifa për ‘Rrugën e Kombit’ është antiligjore dhe antikushtetuese”, deklaroi sot deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, në një prononcim për mediat mes protestuesve para Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

“Qeveria fut duart në xhepat e shqiptarëve me rritjen e taksave dhe tarifave, ku kanë shkuar këto? Nuk është ndërtuar asnjë kilometër rrugë e vetme, nuk është mirëmbajtur absolutisht asnjë kilometër rrugë e vetme. ‘Rruga e Kombit’ ka 5 vite që nuk mirëmbahet, kërkon një buxhet minimal, kërkon vetëm 10 milionë euro në vit për t’u mirëmbajtur kjo rrugë, ndërkohë që këtë gjë nuk e ka bërë qeveria. Sot përsëri gënjyen shqiptarët dhe u thanë që mirëmbajtja e rrugëve kërkon një shumë jashtëzakonisht të lartë, stratosferike për buxhetin e shqiptarëve”, tha Tabaku.

Po ashtu, Tabaku tha se “qytetarët e Kukësit dhe shqiptarët kanë kthyer përgjigje që tarifa e ‘Rrugës së Kombit’ është e papërballueshme për to”.

Më tej, Tabaku shtoi se “mbasi qeveria të kthejë përgjigje se pse bën avokatin e koncesionarit dhe pse nuk e përdor taksën e qarkullimit për ndërtim rrugësh dhe për mirëmbajtje, atëherë qytetarët janë në të drejtën e tyre për ta refuzuar për ta paguar këtë taksë”.

“Kjo taksë është antiligjore, është antikushtetuese. Qeveria duhet të mbrojë interesin e qytetarëve dhe jo interesin e koncensionarit”, tha ajo./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.