Provimet e klasave të 9-ta nisin më 11 qershor

TIRANË, 3 prill/ATSH/-Më 11 qershor, nxënësit e shkollave 9-vjeçare do t’i nënshtrohen provimit të gjuhës së huaj, pjesë e tre provimeve kombëtare.

Kështu, Lënda Gjuhë e huaj do të zhvillohet më 11 qershor 2018, Lënda Gjuhë shqipe, më 18 qershor 2018 dhe Lënda Matematikë, më 22 qershor 2018. Nxënësit e pakicave kombëtare zhvillojnë edhe provimin kombëtar të arsimit bazë në lëndën Gjuhë amtare. Provimi kombëtar i arsimit bazë në lëndën Gjuhë amtare do të zhvillohet më 15 qershor 2018.

Lista e gjuhëve të huaja, që do të jepen si provim i detyruar, janë: anglisht, italisht, frëngjisht dhe gjermanisht.

Nxënësit e klasave IX parapërgatitore për seksionet dygjuhëshe italiane, gjermane dhe franceze janë të lirë të zgjedhin midis gjuhës së huaj të parë, që kanë filluar në klasën III, dhe gjuhës së huaj të seksionit përkatës, të filluar në klasën VI. Testi i gjuhës së huaj për nxënësit e klasave IX parapërgatitore për seksionet dygjuhëshe italiane, gjermane dhe franceze të hartohet dhe të korrigjohet në bashkëpunim me mësuesit e huaj dhe shqiptarë të këtyre seksioneve.

Provimet kombëtare të arsimit bazë fillojnë në orën 10:00 dhe zgjasin 2 orë e 30 minuta. Procedurat e hartimit dhe vlerësimit të testeve përcaktohen në rregulloren për “Procedurat e organizimit dhe zhvillimit të provimeve kombëtare të arsimit bazë, viti shkollor 2017-2018”. Për shkollat e pakicës kombëtare greke, teza për provimin në lëndën Gjuhë amtare përgatitet nga DAR Gjirokastër.

Në ditën e provimit, Zyra Arsimore Delvinë dhe Zyra Arsimore Sarandë tërheqin tezën në DAR Gjirokastër. Për shkollat e pakicës kombëtare maqedonase, teza për provimin në lëndën Gjuhë amtare përgatitet nga DAR Korçë dhe tërhiqet ditën e provimit nga drejtori i shkollës, shoqëruar nga përfaqësuesi i DAR Korçë. Nxënësit me aftësi të kufizuara zhvillojnë provimet kombëtare në përshtatje me veçoritë e tyre. z.tosku/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.