Mirëmbajtja rutinore e Rrugës së Kombit 5.5 – 6 milionë euro në vit

TIRANË, 3 Prill/ATSH-Maela Marini/.- Mirëmbajtja rutinore e Rrugës së Kombit ka një kosto prej 5.5 – 6 milionë euro në vit.

Kështu deklaroi sot, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri gjatë një konference për shtyp, ku sqaroi vendimin për vendosjen e tarifës në Rrugën e Kombit.

Sipas tij, kjo është vetëm mirëmbajtja rutinore e rrugës që do të thotë riasfaltim, mbushje e shtresave, eliminimi i gurëve etj dhe nuk ka të bëjë me rastet kur ka rrëshqitje, lëvizje tektonike, apo nuk parashikon ndërtimin e ndonjë aseti tjetër, këto janë investime shtesë.

Vetëm mirëmbajtja e tunelit të Kalimashit, sipas Gjiknurit, ka mbi 2 milionë euro kosto, pasi tunelet kanë sistem sigurie, ndriçim, sistem kundër zjarrit, etj dhe kushtojnë në mirëmbajtje.

Po ashtu Gjiknuri theksoi se mirëmbajtja rutinore e 3900 km rrugëve në total në Shqipëri, për 5 vite kërkon një fond prej 320 milionë euro.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.