Abone për banorët e Kukësit

TIRANË, 3 Prill/ATSH-Maela Marini/.- “Çdo banor i zonës së Kukësit, si përdorues i shpeshtë i ‘Rrugës së Kombit’, do të mund të përfitojë nga sistemi i aboneve dhe njëkohësisht të kontribuojë për mirëmbajtjen e rrugës dimër-verë, si edhe investimet mbrojtëse e plotësuese të saj”.

Përmes një konference për shtyp, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri sqaroi vendimin për vendosjen e tarifës në “Rrugën e Kombit”.

“Nuk njihen tarifat lokale dhe tarifat e distancuara. Megjithatë është marrë përsipër masa lehtësuese për frekuentuesit e shpeshtë. Përdoruesve të shpeshtë do u bëhet abone me kosto më të ulët. Kemi nisur diskutimet për të gjetur një zgjidhje për një periudhë shumë të afërt që kjo të jetë mundësia”, sqaroi ministri.

Sipas tij, “sot ne trashëgojmë mungesën totale të mirëmbajtjes së rrugëve në Shqipëri”. “Në vitin 2013 mirëmbajtja në tërësi e rrjetit rrugor shqiptar ishte 1.2 miliardë lekë, duke mbuluar vetëm 18 për qind të nevojës. Në vitin 2017 këtë fond e çuam në 3.2 miliardë lekë, pra e kemi rritur gati 3 herë”, tha Gjiknuri.

Që në vitin 2008, tha Gjiknuri, “qeveria shqiptare ka parashikuar përdorimin e tarifës rrugore për mirëmbajtjen e rrugëve”.

“Nëse nuk ndërhyhet në kohë, kostoja për mirëmbajtjen e rrugëve do të jetë më e lartë. Shteti me taksat që mbledh asnjëherë nuk mundet të sigurojë financimet e nevojshme për të mirëmbajtur këto asete. Kjo është një praktikë që nuk e kanë shpikur shqiptarët”, tha Gjiknuri.

Sipas tij, “Rruga e Kombit” është një nga investimet më të shtrenjta që kanë bërë shqiptarët, një aset jashtëzakonisht i kushtueshëm”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.