Rritet eksporti i materialeve të ndërtimit dhe metaleve

TIRANË, 2 Prill/ATSH/- Shqipëria është një nga vendet në rajonin e Ballkanit me një nëntokë të pasur, ku nxirren, përpunohen e më pas eksportohen disa lloj metalesh dhe mineralesh, duke përfshirë që nga hekuri, bakri, kromi apo nafta.

Në 2 muajt e parë të vitit 2018, sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), eksporti i grupit ‘materiale ndërtimi dhe metale’ rezulton të ketë rritje vjetore prej rreth 8.1%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017.

Në vlerë absolute, për periudhën janar-shkurt (2018) eksportet e grupit ‘materiale ndërtimi dhe metale’, llogariten 8.6 miliardë lekë, nga 5.5 miliardë lekë që ishin për të njëjtën periudhë të vitit 2017, me një zgjerim prej 3.1 miliardë lekësh.

Eksportet me të larta, sipas INSTAT, janë drejt Italisë. Sipas të dhënave, mbi 3 miliardë lekë materiale ndërtimi dhe metale kanë shkuar drejt vendit fqinj.

Eksportet e metaleve dhe materialeve të ndërtimit drejt Italisë u rritën përgjatë dy mujorit të 2018-ës me gati 1 miliardë lekë, krahasuar me 2-mujorin e 2017-ës.

Edhe drejt Kosovës janë eksportuar gati 1 miliard lekë më tepër materiale ndërtimi dhe metale se sa në 2-mujorin e 2017-ës.

Sipas INSTAT gjatë periudhës janar-shkurt, 2018 u eksportuan 1.6 miliardë lekë materiale ndërtimi dhe metale./a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.