FOTO/ Mbi 1 mijë vizitorë në Muzetë e Krujës, shumica italianë e spanjollë

TIRANË, 2 Prill/ATSH-Maela Marini/ – Mbi 1 mijë vizitorë kanë vizituar Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeun Etnografik Krujë, vetëm gjatë fundjavës që lamë pas.

Shumica e vizitorëve ishin turistë nga Italia dhe Spanja, të cilët kishin preferuar të kalonin pushimet e Pashkëve Katolike në vendin tonë, por nuk mungonin dhe turistë nga vendet e tjera të Europës si Gjermania, Franca apo Belgjika, si edhe nga kontinenti aziatik, si nga Japonia, Malajzia dhe deri nga Hong Kongu.

Muzetë u frekuentuan gjithashtu edhe nga shumë familjarë shqiptarë nga Tirana dhe Prishtina, por nuk munguan edhe nxënësit e shkollave që vizituan Muzeun në kuadër të Vitit MbarëKombëtar të Gjergj Kastrioti Skënderbeut.

Viti 2018 është shpallur si Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriot Skënderbeut, ndaj Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe ai Etnografik në Krujë janë përgatitur maksimalisht për t’iu përgjigjur sa më mirë numrit gjithnjë në rritje të vizitorëve.

Për vitin 2017, numri i përgjithshëm i i personave që kanë vizituar këto muze shkon në rreth 105 mijë vizitorë, prej të cilëve gati 30 për qind janë turistë të huaj. Për vitin që kaloi vihet re një shtim me 5-7 mijë persona i numrit të vizitorëve, krahasuar me vitin 2016.

Kruja ka një turizëm gjithëvjetor, pasi është e favorizuar nga vlerat që mbart, por edhe nga vendndodhja.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.