Historia ime e refugjates: Arnisa Morina ndan historinë e jetës, kur dhimbja kthehet në triumf

TIRANË, 1 prill/ATSH/-Z.Tosku/- Historitë më frymëzuese në jetë vijnë nga radhët e sakrificave dhe mundit për t’ia dalë mbanë, kjo sidomos kur bëhet fjalë për histori reale të refugjatëve kosovarë të larguar nga lufta në vitet 1998-1999.

Në një intervistë dhënë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Arnisa Morina, vajza e vogël e familjes Morina, kujton përjetimet dramatike të kohës së luftës të vitit 1999, kur mijëra prej tyre, fati i solli përtej Atlantikut nën kujdesin e drejtpërdrejtë të shtetit kanadez.

Ajo foli për babanë e saj, të cilin paramilitarët serb ia kishin vrarë në masakrën e Gollubovcit të Malishevës ndërsa, Arnisa ishte vetëm 3 vjeçare. Për të, humbja e babait ka qenë humbja më e madhe në jetë. Ajo tregon se nuk ka shumë kujtime nga babai i saj, për shkak se ka qenë shumë e vogël kur e kanë ndarë përgjithmonë nga ai.

“Ne jemi prej Gjurgjicës, të gjithë si familje kemi jetuar në këtë vend. Pasi serbët morën babanë tim, u munduam të gjithë të iknim. Jetuam me mall për disa muaj. Nga Prishtina morëm trenin për të ikur në Maqedoni dhe qëndruam aty për 5 javë. Më pas na erdhi shansi për t’u nisur në Kanada me avion. Kështu fillimisht, ndenjëm në Military Base në Borden(Canada) për 3 muaj derisa qeveria na gjeti një familje për të na sponsorizuar. Kur qeveria kanadeze gjeti familjen Dalia, që na mbështeti financiarisht, kjo familje na dërgoi në shtëpinë tonë të re në Brantford, Ontario. Familja Dalia, na mbështeti jo vetë duke na siguruar shtëpi por edhe rroba, ushqim dhe gjithçka që kishim nevojë. Familja Dalia ka qenë një bekim i madh për ne dhe ne vazhdojmë të mbajmë kontakte me ta sot. Pa mbështetjen e Dina Dalia, unë nuk do të isha aty ku jam sot, ka treguar Arnisa për Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Si më e vogla e familjes, ajo do të kishte shembuj vëllezërit dhe motrat, të cilët do t’i mësonin Arnisës se ditë më të mira po e prisnin.

22-vjeçarja, sot po arsimohet pranë Osgoode Hall Law School, ku gjithashtu bën punë vullnetare pranë “International Refugee Assistance Project (IRAP). Kjo është një nga arritjet më të suksesshme të Arnisës duke theksuar se pranimet në këtë Universitet janë me kuota mjaft të limituara(pra nga 2500 studentë pranohen vetëm 290 çdo vit). Ajo pret të diplomohet për drejtësi. Ky universitet ka numëruar juristë të shumtë dhe të suksesshëm ndaj edhe Arnisa do të jetë me siguri një pre tyre. Shumë shpejt, Morina do të bëhet anëtare e stafit të Real Estate Law Firm në Toronto, ku edhe jeton.

Familja Morina ka mbajtur statusin e refugjatit për një kohë relativisht të gjatë, ndaj edhe Arnisa ka dashur t’u qëndrojë afër dhe t’i njohë më së miri këto raste. Nuk janë të paktat rastet kur ajo u ka dhënë ndihmën e saj për integrimin e tyre në shoqërinë kanadeze. Duke gjykuar edhe me anën profesionale, Morina ka menduar se për ta dhe kauzën e tyre, ajo do të ishte një krah i djathtë i duhur për t’i ndihmuar. Arnisa është e martuar dhe viziton  shpesh vendlindjen e saj.

Për komunitetin shqiptar, Arnisa është një emër i njohur, e cila jep një kontribut për Albanian Excellence Society (ACE). Ajo është pjesë e bordit të saj duke u kujdesur për marrëdhëniet e Komunikimit. Ajo ia dedikon të gjithë suksesin e saj, familjes dhe sidomos nënës. Disa ditë më parë, ajo ka takuar edhe ministrin e diasporës së Shqipërisë, Pandeli Majko, që e ka vlerësuar si një nga profesionistet e reja shqiptare në Kanada.

Në vijim, intervista e plotë:

Cilat ishin sfidat më të vështira që keni kaluar?

Mënyra ime e jetesës është pasojë e plagëve të mia. Gjëja më e vështirë për mua duke u rritur si refugjate ishte duke punuar shumë që të mos bëhesha një viktimë e përhershme e luftës në Kosovë dhe të mos e lejoj luftën të kufizojë potencialin tim.

Duke u arsimuar dhe duke jetuar me kulturën kanadeze, kuptova se isha duke luftuar njëkohësisht me stereotipet brenda meje që, refugjatët nuk janë të destinuar të bëhen suksesshëm në një vend të huaj.

Kështu që, në një moshë fare të re vendosa që të ndjek ëndrrat e mia pa marrë parasysh sfidat në jetë, sepse mijëra shqiptarë sakrifikuan dhe humbën jetën gjatë luftës. Ketë e vendosa për të nderuar sakrificat e tyre, sidomos sakrificat e babait tim.

Na tregoni disa nga arritjet tuaja deri tani?

Arritja ime më e madhe është që jam pranuar ne “Osgoode Hall Law School”. Osgoode është një nga shkollat më të mira në Kanada. Nga 2500 studente që aplikojnë vetëm 290 pranohen çdo vit. Kam ëndërruar të pranohem në Osgoode  që kur kam qenë në klasën e 8-të. Tashmë e kam realizuar këtë ëndërr.

Një nga sukseset më të mëdha është se kurrë nuk kam harruar rrënjët e mia, Kosovën dhe kulturën time shqiptare. Nuk e di nëse të tjerë e quajnë kështu, por për mua është sukses.
Duke u rritur në një vend të huaj, është e lehtë të harrosh vendin nga ke ardhur. Jam e lumtur që kurrë nuk kam harruar rrënjët e mia shqiptare. Falënderoj nënën time për këtë sukses. Ka qenë nëna ime që nuk na ka lejuar të flasim anglisht në shtëpi, as mua dhe as vëllezërit apo motrat e mia. Ajo çka kam mësuar më së miri nga jeta ime është që: pavarësisht se sa e suksesshme mund të jesh, duhesh gjithmonë të qëndrosh e përulur dhe të kujtosh rrënjët e tua shqiptare.

Çfarë mesazhi u jep të rinjve shqiptarë? 

Jeta ime është shembulli më i madh i asaj ç’ka jeta të sjellë nëse nuk dorëzohesh. Ndaj, dua t’u them të rinjve Shqiptarë që të besojnë në vete. Pavarësisht se çfarë sfide mund të keni në jetë, duhet të përballeni me të, me se s’bën. Mos harroni se e vetmja gjë që duhet të bëni është t’i kapërceni këto sfida.

Arnisa, cilat janë projektet e tua të ardhshme? Çfarë ëndërron dhe projekton ti në Kanada?  

Ëndrra ime gjithmonë ka qenë për të hapur një firmë ligjore të përqendruar rreth Ligjit për Imigracionin dhe Refugjatët. Unë dua të ndihmoj dhe përfaqësoj individët që ikin nga lufta, diskriminim dhe terrori, sepse isha dikur në pozitën e tyre.

Gjithashtu dua të punoj në fushën e të drejtës ndërkombëtare. Dua të inkurajoj botën që të njohë Kosovën si shtet të pavarur në skenën botërore ndërkombëtare. Mbi të gjitha, dua ta bëj familjen time krenare, sidomos Babanë dhe Nënën time.

Disa ditë më parë, ju u takuat edhe me ministrin Shqiptar të Diasporës, zotin Pandeli Majko. Çfarë biseduat me zotin Majko? 

Ishte një nder i madh për të takuar Ministrin Majko përmes angazhimit tim me Albanian Canadian Excellence Society (ACE) në Toronto, si Udhëheqëse e Komunikimit. Majko u impresionua me misionin e ACE-it për të njohur dhe festuar suksesin e shqiptarëve në Kanada. Majko tha se krijimi i ACE-it dhe tubimin e shqiptarëve në komunitet që ACE shpesh organizon, është diçka që ACE duhet të krenohet.

Çfarë do t’i japësh vendit Kanadez si Shqiptare?

Gjëja më e mirë që unë mund të bëj për Kanadanë është të bëj diçka të suksesshme ne jetë, si një mënyrë për të treguar vlerësimin tim për vendimin e Kanadasë për të mirëpritur shqiptarët nga lufta e Kosovës. Kur bota ishte e heshtur, Kanadaja ishte aty për të mirëpritur refugjatët kosovarë që iknin nga terrori serb.

Unë gjithmonë kam dashur të frymëzoj njerëz të tjerë përmes jetës sime, për ti treguar se edhe vështirësitë më të mëdha sikurse unë vetë kalova, kalohen me sukses dhe për këtë duhet pak kurajo, që secili ka brenda vetes.  Motivimi më i madh për mua është, që të sjell  një ndryshim pozitiv në jetën e dikujt, duke i frymëzuar ata që të besojnë në veten dhe aftësinë e tyre për të arritur ëndrrat. Nëse unë arrij të ndryshoj qoftë edhe jetën e një personi të vetëm, duke e ndihmuar për të besuar në ëndrra, kjo është e mjaftueshme për mua, për të jetuar me kuptim.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.