Haradinaj kërkon hetim për ekstradimin e gjashtë shtetasve turq

260

PRISHTINË, 31 Mars/ATSH/.- Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi sot se ka kërkuar një hetim dhe inspektim në të gjithë mekanizmat e përfshirë në ekstradimin e 6 shtetasve turq në Kosovë.

Në një konferencë për shtyp pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovë, Haradinaj theksoi se “në bazë të përgjegjësive të mia kushtetuese kam informuar Këshillin e Sigurisë pasi kam kërkuar një hetim e raportim me shkrim për ekstradimin e shpejtë e të fshehtë të 6 shtetasve turq”.

Kreu i qeverisë u shpreh se në aspektin e të drejtave njerëzore kjo ngjarje i ka prekur të gjithë, të mëdhenj e të vegjël.

“Një aspekt tjetër është se kam kërkuar të mos befasohen më as Kosova, as vendimmarrësit, që të mos ndodhin më veprime të tilla pa lejen e kryetarit të qeverisë”, shtoi ai.

Haradinaj tha se, pavarësisht kësaj ngjarje, gjendja e sigurisë në vend është e qetë dhe e qëndrueshme dhe institucionet e sigurisë janë në krye të detyrës.

Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve se si është e mundur që asnjë nga liderët e vendit nuk kishin informacion, Haradinaj u shpreh se “kam kërkuar një hetim të parë pas marrjes së dy vendimeve”.

“Kam kërkuar raportim me shkrim nga katër drejtues nga drejtori i AKI-së, ministri i Drejtësisë, Abelaid Tahiri, të ministrit të Brendshëm, Flamur Sefaj dhe Drejtorit të Policisë, Shpend Maxhuku. Dy vartësit e mi të parë që i detyrohen komunikimit me mua, drejtori i AKI-së dhe ministri i Punëve të Brendshme e kanë humbur besimin tim, pasi ata nuk më kanë besuar ose për një arsye të caktuar nuk e kanë vlerësuar të më informojnë për këtë ngjarje dhe për këtë shkak janë liruar nga detyra”./k.s//m.m/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.