Të rinjtë e kryeqytetit më pranë teatrit

TIRANE,30 Mars/ATSH/ – Në skenën e Teatrit të Metropolit po vijon të shfaqet për të rinjtë pjesa teatrore “Romeo e Zhulieta”.

Historia e njohur e dashurisë midis Romeos dhe Zhuljetës, vjen me regji Sonila Kapidani dhe me interpretimin e aktorëve të rinj Roerd Toçe në rolin e Romeos, Sheila Domi në rolin e Zhuljetës, Klesta Shero, Edvin Mustafa, Ermir Jonka, Delvis Bejleri dhe Aleksandër Mitrollari.

Teatri Metropol bën me dije se pjesëmarrja e të rinjve të Tiranës për çdo fundjavë në teatër dhe komunikimi me ata për të ndarë mendime dhe përvoja njerëzore, është padiskutim pjesa më e bukur e punës së artistëve.

“Ne duam të prezantojmë punë e cila merr trajta më të mëdha në mendjen dhe imagjinatën e të rinjve të qytetit, dhe kjo gjë ka ndodhur me shfaqjen “Romeo e Zhulieta” në teatrin Metropol”, shkruan teatri.

Shfaqja është menduar dhe realizuar për grupmoshën e të rinjve me qëllim njohjen, por edhe hapjen e bisedave mbas-shfaqje mbi pyetje të rëndësishme shoqërore që ngre vepra mbi probleme sociale dhe probleme të teatrit. “Pyetjet që shtrohen? A duhet të jemi besnikë ndaj ndjenjave tona? Po ndaj familjes? Po ndaj parimeve tona? Po ndaj autoritetit ? “E shikoni, këto nuk janë thjesht pyetje që të lindin duke bërë një shëtitje romantike në qytetin e vjetër të Veronës.

Këto ishin pyetje që shoqëronin shoqërinë Elisabetiane, e për të cilat Shekspiri zgjodhi një tjetër vend, Veronën dhe Italinë – larg Anglisë, për të kërkuar përgjigje.

“Romeo e Zhulieta” është një tragjedi e publikuar në vitin 1597 nga Shekspiri. Ajo tregon historinë e dy të dashuruarve, fiset e të cilëve janë armiq.

Drama që mbaron me vetëvrasjen e Romeos dhe Zhulietës është një nga veprat më të njohura të Shekspirit dhe një nga historitë dashurie më të famshme të letërsisë botërore. Tragjedia në qytetin italian të Veronës vepron mbi dashurinë të Romeos dhe Zhulietës, që bëjnë pjesë në dy fise armiqësorë, atyre të Montague-ve dhe të Capulet-ve./a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.