Rusia shpall “non grata” dy diplomatë shqiptarë, MEPJ: Nuk përbën surprizë për ne

TIRANË, 30 Mars/ATSH/ – Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton se dy diplomatë shqiptarë në Rusi janë shpallur “non grata”, pas vendimit të vendit tonë për të larguar dy diplomatë rusë pak ditë më parë, në kuadër të sulmit kimik të ndodhur në Salisbury.

Sipas njoftimit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Moskë u thirr në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Federatës Ruse. Gjatë takimit, Ambasadorit iu komunikua shpallja “non grata” e dy diplomatëve shqiptarë të akredituar në Federatën Ruse. Reagimi i Moskës nuk përbën surprizë për ne.

“Vendimi i marrë prej nesh pak ditë më parë në lidhje me dy diplomatët rusë, i bashkërenduar me qëndrimet e aleatëve tanë strategjikë ishte proporcional ndaj sulmit kimik në Salisbury. Theksojmë se kanalet tona diplomatike mbeten të hapura në funksion të marrëdhënieve konstruktive dypalëshe, paqes dhe sigurisë”, njofton Ministria e Punëve të Jashtme shqiptare. /a.f//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.