PEKIN – Kina: Forcimi i lidhjeve me Phenianin i shërben paqes dhe stabilitetit rajonal

PEKIN, 30 mars / ATSH/ – Kina dëshiron të forcojë lidhjet me Korenë e Veriut për të nxitur paqen dhe stabilitetin afatgjatë rajonal,  deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Lu Kang , sipas CRI.

Lu Kang deklaroi se vizita e parë e kreut koreano-verior në Kinë tregon se të dyja vendet u kanë kushtuar një  rëndësi të madhe marrëdhënieve dypalëshe.

Deklarata e Lu Kang vjen pas takimit kokë më kokë midis presidentit kinez, Xi Jinping dhe kreut koreano-verior, Kim Jong Un, këtë javë në Pekin.

“Gjatë bisedimeve,  Xi Jinping theksoi se ruajtja, nxitja dhe zhvillimi i marrëdhënieve midis Kinës dhe Republikës Demokratike Popullore të Koresë mbetet një politikë e palëkundur e Partisë Komuniste dhe qeverisë kineze”, tha Lu Kang.

“Ne dëshirojmë të punojmë me Korenë e Veriut dhe shpresojmë që shkëmbimet e nivelit të lartë të luajnë rolin kryesor për thellimin e komunikimit strategjik dhe zgjerimin e bashkëpunimit, duke nxitur aktivisht paqen dhe zhvillimin”, deklaroi Lu Kang.

“Ne dëshirojmë zgjerimin e konsolidimit të shkëmbimeve njerëzore, nxitjen dhe zhvillimin afatgjatë të marrëdhënieve dypalëshe në të mirë të të dy vendeve dhe popujve, për të dhënë një kontribut të ri për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit dhe të botës”, shtoi Lu Kang.

Lideri koreano-verior,  Kim Jong Un zhvilloi një vizitë jozyrtare katërditore në Kinë, nga e diela deri të mërkurën.

Gjatë vizitës së tij, të dyja palët shkëmbyen mendime mbi gjendjen ndërkombëtare dhe të ardhmen e Gadishullit Korean.//a.i/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.