Drejtues të votuar kanë trafikuar vajza, të dënohen

TIRANË, 30 Mars/ATSH/ – “Trafikimi i qenieve njerëzore nuk është një çështje që mund të zgjidhet pa bashkëpunim intensiv rajonal. DASH e kupton këtë dhe ju ka dhënë një grant bujar për të mbështetur qeveritë dhe OJQ-të në rajon për të krijuar një rrjet rajonal bashkëpunimi”, theksoi sot ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu.

Në prezantimin e projektit “Përmirësimi i ofrimit të shërbimeve dhe ndërgjegjësimi në luftën kundër trafikimit të personave në rajonin e Ballkanit, Shqipëri, Maqedoni, Mali i zi dhe Kosovë, i financuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, nëpërmjet programit të zyrës së DASH për “Monitorimin dhe luftën kundër trafikimit të personave”, ambasadori Lu tha se “ndiej neveri që disa prej drejtuesve të votuar të këtij vendi, ma merr mendja edhe nga vende të tjera nga rajoni, kanë qenë burrat që i shitën këto vajza të pafajshme në skllavëri. Ata duhet të arrestohen dhe të dënohen me të gjithë fuqinë e ligjit”.

“Për ta bërë këtë, vendet e këtij rajoni duhet të mendojnë për zbatimin e ligjit dhe afrimin e shërbimeve në një kontekst rajonal. E përgëzoj Shqipërinë që ka treguar udhëheqje përfshirë ngritjen e një konference antitrafik, për të diskutuar parandalimin e trafikimit të fëmijëve”, nënvizoi Lu.

Ambasadori amerikan u shpreh se “jemi entuziastë për punën inovatore, sepse qëllimi afatgjatë nuk është vetëm vendosja e viktimave në strehëza, por që ata të dalin prej tyre me aftësi e siguri financiare e vetëbesim”.

Ky projekt, vijoi ai, do të ndihmojë për këtë.

Ambasadori Lu i bëri thirrje të gjithë qeverive të rajonit, por veçanërisht këtu në Shqipëri, të vazhdojnë të ofrojnë fonde për strehëzat e grave dhe fëmijëve që trafikohen.
“Në rastin e Shqipërisë këtu ka nevojë që qeveria jo vetëm të angazhohet politikisht për të siguruar atë financim, por duhet edhe t’i dorëzojë me të vërtetë këto fonde dhe pa vonesa”, tha ai.

Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Rovena Voda, në fjalën e saj tha se “implementimi i këtij projekti ka të bëjë me zbatimin e një axhende të përbashkët rajonale veprimesh kundër trafikimit të personave, që sigurisht do të vazhdojë të intensifikohet dhe të njohë padiskutim edhe zhvillime të reja në të ardhmen”.

Duke falënderuar DASH për financimin e këtij projekti, shprehu vlerësimin për Ambasadën Amerikane në Tiranë si një partner strategjik dhe bashkëpunëtor të ngushtë në përpjekjet kundër këtij fenomeni.

“Qeveria amerikane ka qenë një nga mbështetësit kryesorë dhe vazhdon të jetë jo vetëm të institucioneve shtetërore, por edhe të organizatave kombëtare dhe shoqërisë civile në Shqipëri, në përpjekjet e tyre për të luftuar dhe parandaluar trafikimin e personave”, tha Voda.

Sipas saj, qeveria amerikane ka dhënë dhe vazhdon të japë një kontribut të vyer në rritjen e kapaciteteve të strukturave shtetërore në nivel qendror dhe atë lokal, si dhe në bashkëpunimin mes të gjitha institucioneve shtetërore dhe organizatave të shoqërisë civile.

Duke folur për prioritetet e qeverisë shqiptare dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme, zv/ministrja Voda u shpreh se ato bazohen tek politika strategjike antitrafikim dhe tek rekomandimet e partnerëve tanë si SHBA dhe BE dhe natyrisht përkthehen në plane pune në luftën kundër trafikimit të personave.

“Jam e bindur se duke pasur edhe mbështetjen e asistencën tuaj të vazhdueshme, MPB dhe Zyra e Koordinatorit Kombëtar Antitrafikim do të zbatojë me përpikmëri rekomandimet dhe sugjerimet tuaja”, tha Voda.

Zv/ministrja siguroi se “Zyra e Koordinatorit Kombëtar Antitrafikim do të vazhdojë akoma më tej përpjekjet në luftën kundër trafikimit dhe do të vazhdojë e të luajë rolin e një partneri konstruktiv në të gjitha nismat rajonale”./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.