Tarifa për “Rrugën e Kombit”, Balla: PD e kërkoi 5.5 euro

TIRANË, 29 Mars/ATSH/.- “Vendimi për ‘Përcaktimin e autoritetit kontraktues për dhënien me koncesion të shërbimit, të mirëmbajtjes, rehabilitimit dhe operimit të autostradës Milot-Morinë’ është marrë nga qeveria Berisha në vitin 2011”.

Kështu deklaroi sot në Kuvend, kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili kujtoi se edhe tarifat, të cilat variojnë nga 2 – 5.5 euro janë bërë të ditura po në këtë mbledhje të vitit 2011.

“Nuk është material sekret diskutimi i bërë në mbledhjen e qeverisë; ka qenë Saliu, Noka dhe anëtarë të tjerë të qeverisë, kur ministri i Transporteve të asaj kohe, Olldashi, informon mbledhjen e qeverisë dhe thotë që: ‘Tarifat do të variojnë nga 2-5.5 euro’. Informacion në mbledhje të qeverisë; një mbledhje qeverie që ka miratuar këtë vendim të firmosur nga Sali Berisha”, tha Balla.

Po ashtu, Balla kujtoi se në dhjetor 2012 u paraqitën edhe ofertuesit, por nisur nga fakti se përpara ishin zgjedhjet e 2013, Sali Berisha nuk pranoi ta bënte këtë koncesion para zgjedhjeve.

”Që në fakt i funksionoi, po të kemi parasysh rezultatin zgjedhor të 2013 në Kukës: 3-1 në favor të PD-së. Sipas Saliut, nëse vazhdonte ky koncesion, i prishte punë politikisht. Por askush prej jush nuk mund ta mohojë këtë vendim qeverie”, tha Balla.

Balla tha po ashtu se, diskutimi për “Rrugën e Kombit”, për Lulzim Bashën është si për një person që kthehet në vendin e krimit”. Sipas tij “afera Durrës-Kukës nuk është mbyllur dhe s’ka për t’u mbyllur asnjëherë”.

Dëmi në rrugën Durrës-Kukës, i vërtetuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, sipas Ballës, është 229.87 milionë dollarë”.

“Lulzimi në 2006, kur rruga ishte ende pa projekt, pa studim gjeologjik, e pafilluar, thoshte që kjo rrugë do të jetë 400 milionë dollarë. Rruga shkoi 1.3 miliardë dollarë dhe nuk mbaroi. Tani për ta mbaruar duhen edhe 200 të tjera”, tha Balla.

Pikërisht, sa herë që flitet për rrugën Durrës-Kukës, Balla tha se, “do të kujtohet edhe dëmi ekonomik që ka shkaktuar papërgjegjshmëria e Lulzim Bashës”.

Financimi rus i PD-së, nuk janë dyshime por ka prova

Po ashtu Balla deklaroi se, provat janë të pakundërshtueshme që Partia Demokratike ka përfituar shërbime lobingu nga një kompani, ku pronarët fundorë janë katër shtetas rusë. “Ky nuk është më dyshim, por është provë”, tha ai.

Balla theksoi se këto nuk janë gojëdhëna por janë dokumente zyrtare të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë.

“Ky është një hetim që, unë kam besim, në Prokurorinë shqiptare po vijon! Jam shumë i sigurt që në organet partnere të shtetit respektiv po vijon”, tha Balla, ndërsa shprehu bindjen se në këtë aferë që dëmton sigurinë kombëtare është përfshirë lidershipi momental i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Balla theksoi po ashtu se ka dyshime se, edhe “fushata 3-mujore e Çadrës” është mbështetur nga të njëjtat fonde të dyshimta. ” Një fushatë e cila u ngrit pikërisht për të sabotuar Reformën në Drejtësi, një fushatë e cila donte të bllokonte Vetting-un”, tha ai.

PS mirëpret komisionin hetimor për pronat në bregdet

Sa i përket çështjes së pronave, Balla tha se “mirëpret një Komision Hetimor për çështjen e pronave në bregdet”, ndërsa shprehu bindjen se Sali Berisha dhe Lulzim Basha nuk do të jetë dakord për këtë.

Balla komentoi po ashtu edhe akuzat e opozitës për përfshirjen e deputetit Alket Hyseni në aferat për tjetërsimin e pronave në bregdet.

“Si kryetar i grupit, i kam kërkuar deputetit Alket Hyseni të sqarojë në mbledhjen e Grupit Parlamentar; dhe e ka sqaruar nga A-ja ke Zh-ja pozicionin e tij. Së pari, i gjithë sulmi ndaj Hysenit është një larje hesapesh brenda jush, sepse keni një anëtar kryesie i cili mbulon pronat në Partinë Demokratike, ai quhet Genti Malko, anëtar i Kryesisë së PD-së, drejtues i Departamentit të Pronave. Ky zotëria është një ndër blerësit, sikurse edhe Hyseni, të pronës aty”, tha Balla.

Ndërkohë, sipas tij, Alket Hyseni ka shkuar si një qytetar me të ardhura të deklaruara nga A-ja te Zh-ja. ” Të hetohet kushdo, por jo me dy standarde”, tha Balla./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.