STUDIM – Zbulohet një strukturë e panjohur e anatomisë njerëzore

PARIS, 29 mars /ATSH-AFP/ – Një mini mikroskop, i projektuar nga një kompani franceze, ka mundësuar zbulimin e një strukture të anatomisë njerëzore, deri tani e panjohur, që mund të luajë një rol në përhapjen e tumoreve.

Në një studim të publikuar këtë javë nga revista “Scientific Reports”, studiuesit amerikanë njoftuan zbulimin e atij, që ata e konsiderojnë si një organ të ri të mundshëm, interstitium.

Nëse shkencëtarë të tjerë e kundërshtojnë termin “organ”, që ata e gjykojnë të ekzagjeruar, ky zbulim mund të ketë implikacione për një njohje më të mirë të kancerit.

Interstitiumi është një rrjet i gjerë i indeve të pranishme nën lëkurë, përgjatë disa organeve (mushkëri, sistemet digjestiv dhe urinar..) apo rreth arterieve dhe venave.

Mendohej deri tani se këto inde ishin kompakte. Në realitet, sipas këtij studimi, ato përbëhen nga një numër i shumtë ndarjesh të mbushura me likuide.

Autorët e studimit i krahasojnë këto inde me një “autostradë fluide” në lëvizje që mund të favorizojë gjithashtu përhapjen e kancerit në të gjithë trupin.

Struktura e këtyre indeve ka qenë për shumë kohë e panjohur për shkak të teknikave klasike të mikroskopisë. Për të parë një ind në mikroskop, ai merret, përgatitet me produkte kimike dhe pritet në shirita të hollë.

“‘Problemi në rastin e interstitiumit është se kjo teknikë e boshatis nga lëngjet dhe e shkatërron si në rastin e “një ndërtese që shëmbet”‘, sipas komunikatës së autorëve të studmit. Pasoja është se në mikroskop, këto inde duken kompakte, gabimisht.

Kjo është një teknikë e re, zhvilluar nga kompania franceze “Mauna Kea Technologies”, që u ka mundësuar studiuesve të zbulojnë natyrën e vërtetë të këtyre indeve.

Kjo teknikë, endomikroskopi konfokale me lazer, konsiston në vendosjen e një mikroskopi të vogël në trupin e pacientëve.

“Indet shikohen në mjedisin e tyre natyror, gjë që u mundëson mjekëve të përmirësojnë ndjeshëm diagnostikimin dhe trajtimin e një numri patologjish”, thekson, Sacha Loiseau, drejtore e përgjithshme dhe themeluese e “Mauna Kea Technologies”./
/ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.