Lehtësimi i procedurave të KEMP-it, fund praktikave korruptive

TIRANË, 29 Mars/ATSH/.- Projekti i qeverisë për lehtësimin e procedurave të marrjes së pagesës së KEMP-it për personat me aftësi të kufizuar i jep fund një herë e mirë praktikave korruptive të së shkuarës.

Tashmë qytetarët nuk kanë më sorollatje nga njëri komision në tjetrin për vërtetimin e aftësisë së kufizuar.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, vizitoi sot qytetin e Lezhës, ku pa nga afër punën e komisionit mjekësor që cakton aftësinë për punë në këtë qytet.

Sipas saj puna në këtë komision është e qetë, gjë që deri dje ishte krejt e pazakontë.

“Si këtu, në çdo KMCAP nuk ka më radhë, nuk ka më persona me aftësi të kufizuar që paraqiten në komisione për të marrë atë që njihet si pagesa e KEMP-it”, shprehet Manastirliu.

Ministrja thekson se “ajo çfarë ka ndodhur është se po zbatohet procedura e re që kemi vendosur, e cila lehtëson qytetarët dhe i jep fund një herë e mirë praktikave korruptive të së shkuarës”.

Nga lehtësimi i procedurës së kempit përfitojnë rreth 130 mijë persona me aftësi të kufizuara në të gjithë vendin ./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.