ITALI – Papa lan këmbët e të burgosurve jo katolikë

303

ROMË, 29 mars /ATSH-AFP/ – Papa Françesku, shumë i emocionuar, mbajti edhe një herë një meshë të së Enjtes së Shenjtë në një burg duke larë këmbët e 12 të burgosurve, dy prej të cilëve myslimanë dhe një budist.

Pas një takimi të shkurtër me të burgosurit e sëmurë, Papa zhvilloi sot pasdite meshën e Darkës së Fundit dhe ritin e larjes së këmbëve me 12 të burgosur nga shtatë vende të ndryshme në burgun e Regina Coelit.

“Gjithkush ka mundësi të ndryshojë jetën dhe nuk duhet gjykuar”, nënvizoi Papa duke nënvizuar se e konsideronte veten si “një peshkatar”, në një predikim të transmetuar nga Radio Vatikani.

Në traditën e krishterë, e Enjtja e Shenjtë përkujton ditën kur Krishti lau këmbët e apostujve të tij dhe krijoi Eukaristinë gjatë Darkës së Fundit.

Bëhet fjalë për një moment të rëndësishëm të javës së shenjtë, që përkujton ditët e fundit të Jezu Krishtit.

“Për mua, të vizitosh të sëmurët, të shkosh në burg, të bësh të burgosurit të ndjejnë se kanë shpresë për rehabilitim, ky është predikimi i Kishës”, theksonte papa Françesku në një libër të fundit intervistash.

Vitin e kaluar, gjatë të Enjtes së Shenjtë, Papa lau këmbët e të burgosurve të penduar, veçanërisht të ish-mafiozëve, në një burg në jug të Romës./
/ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.