FOTO/ TAP ofron mobilje për bibliotekën e qytetit të Beratit

629

TIRANE, 29 Mars /ATSH/- Përfaqësues të gazësjellët Trans Adriatik (TAP) dhe Bashkisë së Beratit vizituan bibliotekën e qytetit të Beratit, të cilës TAP-i i ka ofruar mobiljet dhe e ka pajisur me një sistem modern të mbrojtjes nga zjarri.

Nga investimi në shumën e rreth 16,000,000 lekëve, ose 121,000 euro, do të përfitojnë 100,000 banorë në qytetin e “një mbi një dritareve”.

Në kuadër të programit TAP për Investime Sociale dhe Mjedisore (SEI), tre sallat e leximit dhe arkivi i bibliotekës “Vexhi Buharaha” tani kanë mobilje krejtësisht të reja. Përveç kësaj, TAP ka dhuruar edhe 400 libra (tituj të rinj), duke pasuruar më tej koleksionin e librave të bibliotekës.

Menaxherja e TAP-it për Shqipërinë Ad-Interim, Michele Elia, tha se, “TAP është një projekt që kontribuon në dekarbonizimin në Europë dhe veçanërisht në vendet pritëse. Ne vërtet besojmë se një e ardhme më e qëndrueshme mund të ndërtohet vetëm nëpërmjet edukimit cilësor, kujdesit për mjedisin dhe vëmendjen ndaj sigurisë. Ja pse po investojmë në këto tri fusha në Shqipëri”.

Ne jemi krenarë që e mbështesim me mobilje të reja bibliotekare dhe instalimin e sistemit të mbrojtjes nga zjarri. Tani biblioteka është funksionale dhe e sigurt, u shpreh ajo.

Kryetari i Bashkisë së Beratit, Petrit Sinaj, falënderoi TAP për bashkëpunimin e tij të vazhdueshëm në zbatimin e projekteve shoqërore.

“Rinovimi i ndërtesës së bibliotekës u përfundua më shumë se një vit më parë, por vetëm sot u hap biblioteka, falë investimit të TAP në mobilimin dhe mbrojtjen nga zjarri, duke ofruar kushte dhe lehtësi moderne për të gjithë vizitorët. Në emër të të gjithë vizitorëve dhe anëtarëve, ju falënderoj për investimin tuaj, sepse vetëm duke kontribuar në njohuri do të krijohet një e ardhme më të mirë për të rinjtë “, tha ai.

Pas hapjes së bibliotekës për publikun, një grup studentësh nga Universiteti i Beratit ishin të parët që u regjistruan si anëtarë. Menaxheri i TAP-it për Shqipërinë Ad-Interim dhe Kryetari i Bashkisë Berat i dorëzuan kartat e tyre të anëtarësimit në bibliotekë.

Biblioteka “Vexhi Buharaja” nuk mund të ishte hapur për publikun pas rindërtimit të vitit 2016, sepse nuk kishte mobilimin e duhur të kërkuar për sallat e saj të leximit dhe arkivin. 35,000 libra po ruheshin në rafte dhe në tokë në arkiv. Falë investimit të TAP, lexuesit e Beratit tani mund të përdorin të tri sallat e leximit të bibliotekës “Vexhi Buharaja”, ndërsa arkivi është i pajisur me rafte për ruajtjen e librave. e.xh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.