PD po hedh baltë mbi Vetting-un në polici

204

TIRANË, 28 mars/ATSH/- “Vetting-u është dëshmia e qartë e vullnetit tonë për të ndërtuar institucione të forta, me njerëz me integritet, për të konsoliduar agjencitë ligjzbatuese dhe për t’i barazuar me standardet europiane.”

Kështu u shpreh sot zv/Ministri i Brendshëm, Julian Hodaj  me anë të një deklarate për shtyp, duke e cilësuar deklaratën e Partisë Demokratike, në lidhje me emërimin e Agim Hysit në Shërbimin e Brendshëm, si tentativë për të hedhur baltë mbi procesin e Vetting-ut në polici.

Ai u shpreh se që prej datës 16 mars ka nisur procedura për përzgjedhjen dhe emërimin e Drejtorit të ri të SHÇBA-së dhe shumë shpejt është drejt finalizimit.

“Lidhur me deklaratën e radhës së PD-së, përmes së cilës tentohet të hidhet baltë mbi procesin e Vetting-ut në Polici, i cili pas miratimit të bazës ligjore brenda pak ditësh do të nisë zbatimin, sqarojmë se:

Z.Agim Hysi nuk është emëruar Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat. Ai është Zv/drejtor i Përgjithshëm, i komanduar përkohësisht prej datës 16 mars 2018, me qëllim sigurimin e funksionimit normal administrativ të institucionit, në kushtet e mungesës për momentin të një Drejtori të Përgjithshëm.”

Ndërkohë prej datës 16 mars ka nisur procedura për përzgjedhjen dhe emërimin e Drejtorit të ri të SHÇBA-së dhe shumë shpejt është drejt finalizimit.

Sjellim në vëmendjen e publikut gjithashtu se përveç të shkuarës si gjyqtar, z.Hysi ka shërbyer si ndihmës ligjor pranë Gjykatës së Lartë në vitet 2011-2012, si dhe pranë Zyrës së Avokatit të Shtetit deri në emërimin e tij si Zv/drejtor i Përgjithshëm i SHÇBA. Nënvizojmë se nuk kishte dhe nuk ka asnjë pengesë ligjore që z.Hysi të emërohet apo të qëndrojë në këtë detyrë. Agim Hysi është pajisur me certifikatë sigurie, vërtetim nga Autoriteti për Informimin mbi dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, si dhe ka dorëzuar rregullisht formularin e vetë-deklarimit për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike, të gjitha këto përpara se të emërohej në detyrën që mban aktualisht.

Zv. Ministri Hodaj gjatë fjalës së tij theksoi se edhe SHÇBA do të preket nga ligji “Për vlerësimin kalimtar të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe SHÇBA-së”.

Duke iu përgjigjur interesit të medias dhe në respekt të opinionit publik, mbi bazën e Ligjit “Për vlerësimin kalimtar të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe SHÇBA-së”, sqarojmë se edhe vetë SHÇBA-ja do të jetë objekt i këtij ligji, përfshirë zotin Hysi./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.