Kritere të reja mjedisore për landfillet dhe venddepozitimet e mbetjeve

252

TIRANË, 28 Mars / ATSH / – Në prezantimin e Dokumentit të Strategjisë Kombëtare për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve dhe Planit të veprimit, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi bëri të ditur se institucioni që ai drejton tashmë ka ndërmarrë veprime konkrete që i paraprijnë kësaj strategjie mjaft të rëndësishme.

Dy projektvendimet për ndalimin dhe prodhimin e qeseve plastike të patretshme dhe ai për unifikimin e kosto – tarifës së menaxhimit të mbetjeve urbane, kanë përfunduar dhe janë gati që së shpejti të miratohen në Këshillin e Ministrave.

Ministri Klosi theksoi se në vijim të veprimeve konkrete janë edhe dy hapa të tjerë, si identifikimi i vend depozitimeve të mbetjeve, por edhe rishikimi i kritereve mjedisore për landfillet apo vend depozitimet, me qëllim funksionimin real sipas standardeve.

Identifikimi i vend depozitimeve dhe mbledhja e të dhënave të detajuara për to, klasifikimi i tyre, për ndërhyrje konkrete është një iniciativë e Ministrisë, që për herë të parë realizohet duke përfshirë edhe bashkëpunimin me prefektët e vendit me mbështetjen e agjencive zvicerane dhe gjermane.

Ndër masat konkrete të ndërmarra në kuadër të kësaj strategjie, ministri Klosi përmendi edhe organizimin e aksionit “Pastrojmë Tokën që duam” në datat 16-22 prill.

Kreu i Turizmit dhe Mjedisit kërkoi mbështetjen e të gjithë partnerëve për t’u përfshirë në këtë aksion që synon të pastrojë shtretërit e lumenjve dhe vijën bregdetare, për të pasur një mjedis më të pastër edhe në kuadër të sezonit të ri turistik.

Në vazhdim të fjalës së tij, Klosi tha se “strategjia do të ishte si shumë të tjera, nëse nuk do të përkthehej në disa veprime konkrete të cilat ne kemi filluar që t’i ndërmarrim. Sot Ministria së bashku me prefektët është përpjekur që për herë të parë të ketë një hartë reale se ku ndodhen vend depozitimet e mbetjeve urbane, dhe në 300 vend depozitime të mëdha dhe të vogla në vendin tonë vërejmë atë që të konstaton edhe strategjia që shumë pak prej tyre kanë standarde mjedisore për të qenë landfille dhe vendgrumbullime të vërtetë të mbetjeve urbane”.

“Ndaj strategjia e ka thënë, ne e kemi marrë një vendim, është shkruar nga stafi i ministrisë në bashkëpunim me ekspertët, është në proces miratimi rivlerësimi i kritereve mjedisore që duhet të ketë një pikë grumbullimi mbetjesh urbane për t’a bërë atë reale, pasi realiteti e ka treguar që në Shqipëri ne vazhdojmë të luftojmë për landfille të mëdha apo inceneratorët dhe fatkeqësisht kemi harruar vendgrumbullimet e çdo fshati, çdo bashkie, të vogël apo të mesme, për të shkuar pastaj në landfillet, apo në ato zonat e mëdha të menaxhimit të mbetjeve urbane”, tha ministri Klosi.

Më tej ai përmendi rastin e Peshkopisë, që me një investim të vogël të bërë nga Projekti Zviceran, dëshmoi se transformohet një pikë e stërmadhe vendgrumbullimi jashtë çdo parametri në një pozicion shumë komod, me disa standarde minimale por të paktën të mbrojtura dhe jashtë ndikimeve të komunitetit, në një zonë si rajoni i Dibrës.

“Është e pafalshme që në çdo cep të Shqipërisë të shkosh, gjen qese plastike, sepse ato janë të padegradueshme, qese plastike të holla të cilat duan 120 vjet të degradohen dhe ndaj vazhdojnë të jenë si monument i papastërisë shqiptare në çdo breg lumi”, tha Klosi

”Ne duam të bëjmë një aksion shumë të madh në javën e Tokës, në Ditën e Tokës, ‘Të pastrojmë Tokën që duam’, sepse mendojmë që nuk mund të futemi në sezonin turistik të këtij viti, që pritet të jetë një nga sezonët më të mirë turistikë të ndodhur ndonjëherë në vendin tonë, me shumë kërkesa dhe për herë të parë me një numër shumë të madh kërkesash nga operatorë turistikë të huaj, dhe të kemi një situatë si kjo që kemi sot”, tha ministri. /n.lena/ /a.g/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.