AKU konfiskon 78 kg mish, tregtohej në kushte të rënda higjeno-sanitare

TIRANE, 28 Mars /ATSH/ -Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka konfiskuar pasditen e djeshme një sasi prej 73 kg mish qengji dhe viçi në mungesë të çertifikatës veterinare dhe për tregtim të tij jashtë çdo kushti higjieno-sanitar, përkatësisht në njësinë e tregtimit të mishit në rrugën e spitalit në qytetin e Krujës.
Inspektorët e Drejtorisë Rajonale Durrës në bashkëpunim me inspektorët e Drejtorisë së Përgjithshme të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, kanë kryer inspektim në njësinë e tregtimit të mishit ne pronësi të shtetasit Indrit Seli, ku i janë gjendur 50 kg mishi qengji dhe 23 kg mish viçi në mungesë të çertifikatës veterinare, i pavulosur dhe tregtim të tij në kushte të rënda higjieno-sanitare.

Për këto shkelje të rënda në bazë të legjislacionit në fuqi, inspektorët e AKU-së e kanë gjobitur me masën administrative me gjobë në vlerën e 150 mijë lekëve.

Ndërkohë që po për të njëjtën njësi tregtimi në janar këtij viti, është marrë masë administrative me gjobë në vlerën e 100 mijë lekëve për tregtim jashtë kushteve higjieno-sanitare të produktit mish.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore, i bën thirrje konsumatorëve që të jenë të kujdesshëm në blerjen e produktit mish, duke kërkuar informacione në njësitë e tregtimit të mishit që të jetë i vulosur, i shoqëruar me çertifikatë veterinare dhe që plotësojnë standardet që parashikon legjislacioni në fuqi. /e.malaj/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.