SPORT – Humbja me Norvegjinë, Panuçi: Fajin e marr përsipër unë

TIRANË, Trajneri i përfaqësueses shqiptare, Christian Panucci ka dalë sot në një konferencë për shtyp, ku ka bërë përmbledhjen pas miqësores me Norvegjinë dhe asaj që ai ka konstatuar në skuadër, duke u shprehur se humbja me Norvegjinë i dha më shumë mësime se fitorja me Turqinë. Trajneri iu përgjigj interesit të mediave dhe pyetjeve të tyre teksa citoi: “E dinim që ishte një miqësore, ndaj dhe kryem disa eksperimente ku kishte shumë lojtarë të rinj. Mendoj që tani e deri në qershor do të kuptoj nëse ndonjë i ri mund të bëhet pjesë e Kombëtares. Më dha shumë mësime një humbje e tillë, se fitorja në Turqi. Nuk më pëlqen të humbas, shpresoj të jenë edhe lojtarët njëlloj si unë, që nuk fle pasi humb, dhe dje kam fjetur shumë pak.

Përsa i përket lojës dhe gjendjes fizike të skuadrës, trajneri Panucci kishte rezervat e tij, duke theksuar se Ramadani u paraqit mirë në fushën e lojës, duke marrë përsipër fajin e humbjes.

“Në lidhje me skuadrën mund t’ju them që përgatitja fizike bëri diferencën e madhe. Edhe nëse do kishim qëndruar gjatë të luanim, sërish nuk mund të shënonim. Sa i përket futbollistëve që hodha në fushë, kam bindjen se Ramadani u paraqit mirë. Edhe Bare më pëlqeu kur u nervozua me kundërshtarët, të paktën njëri u nervozua. Se dukej sikur pësuam golin dhe ishte njëlloj. Xhaka ishte i emocionuar. Pastaj Lika shihet në stërvitje se është një lojtar që punon dhe e vlerësoj si një element që mund të jetë pjesë e grupit. Si do luajë kjo kombëtare? Është një opsion edhe moduli 4-3-3. Por, unë kam idetë e mia dhe nuk kthehem mbrapa në këtë gjë. Mund të luajmë 4-3-3, do të shohim në vazhdim idetë. E dinim rrezikun, por po të ishte një eliminatore, nuk do të luanim kurrë kështu. Nuk dua të kërkoj kurrsesi justifikime. Fajin e marr përsipër unë.

Sipas trajnerit të Kombëtares, humbja ka ardhur edhe për faktin se shumë lojtarë nuk janë aktivizuar aq sa duhet me ekipet e tyre në kampionatet e huaja.

Panucci siguroi se nëse kjo nuk do të ishte një ndeshje miqësore, atëherë do të kishit parë një tjetër ekip në fushë.

“Por, kur futbollistë si Ajeti, Mavraj dhe Sadiku nuk luajnë, Roshi sapo ka filluar dhe nuk është në formën e Turqisë, atëherë situata është tërësisht e disfavorshme. Situata më shqetëson, sepse janë shumë lojtarë që nuk luajnë me ekipet e tyre. Ju siguroj që, po të ishin ndeshje zyrtare do të shikonit një Shqipëri krejt tjetër. Në fund të majit kemi edhe dy miqësore të tjera. Mendoj se lojtarët janë në fund të sezonit, por Kombëtarja është detyrim, dhe mbi të gjitha, maksimumi i krenarisë.

Nëse të gjithë do të paraqiten me kondicionin e Turqisë, ju garantoj që jemi një skuadër shumë e mirë”, – deklaroi ndër shumë të tjera në daljen e tij publike, një ditë pas ndeshjes, trajneri i skuadrës kombëtare, Christian Panucci.

Ai largohet sot drejt Budapestit për të ndjekur kundërshtarët e ardhshëm në grupin e kompeticionit UEFA Nations League, pikërisht Skocinë në përballjen me Hungarinë. Kombëtarja shqiptare e futbollit, grumbullimin e radhës do ta ketë në datën 26 maj në Zvicër, ku do të përgatitet edhe për dy miqësoret e planifikuara, të cilat shumë shpejt do të zyrtarizohen në kanalet tona të komunikimit./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.