SPANJË – Kapet 1 ton drogë dhe arrestohen 18 persona në një aksion të Europolit

LION, 27 mars /ATSH/ – Gjatë operacionit “Carambolas”, një operacion i kryer nga forcat spanjolle “Guardia Civil” dhe ato gjermane “Central Customs Investigation Service”, u arrestuan 18 persona dhe 9 të tjerë janë nën hetim, njoftoi Europoli.

Ky operacion, i mbështetur nga Europoli, arriti të shpërbëjë një organizatë kriminale që ishte e përfshirë në trafikun e drogës dhe aktivitete të tjera kriminale në gjithë BE-në.

Gjatë këtij operacioni u kapën 1 ton marijuanë, 212 000 euro, armë zjarri, municione dhe tetë automjete.

Grupi kriminal trafikonte marijuanë nga Spanja në vendet e tjera të BE-së, në veçanti në Gjermani, nëpërmjet një rrjeti me celula të ngritura në Malaga dhe Granada, në Spanjë, si dhe të drejtuara nga qyteti Bremen në Gjermani.

Rrjeti kriminal ishte i organizuar në mënyrë të tillë që edhe nëse njëra prej celulave zbulohej nga policia, furnizimi me drogëra të jashtëligjshme të mund të ishte i garantuar.

Hetimi filloi në qershor, pasi një qytetar gjerman, anëtar i këtij rrejti kriminal, u kap duke blerë një sasi të madhe marijuane në jug të Spanjës.

Në fazën e parë të këtij operacioni u shpërbënë dy fabrika të marjuanës në jug të Spanjës, si dhe u kapën rreth 100 kilogramë marihuanë dhe 172 000 euro.

Anëtarët e organizatës kriminale që u arrestuan ishin nga tetë kombësi të ndryshme, Kroaci, Gjermani, Spanjë, Shqipëri, Armeni, Serbi, Siri dhe Turqi./G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.