“Kur dashuria kthehet në poezi”, koncerti që bashkon artistë shqiptarë e italianë

820

TIRANE, 27 Mars /ATSH/ -Koncerti  recital i titulluar “Kur dashuria kthehet në poezi” mblodhi mbrëmjen e kaluar në Teatrin “Aleksandër Moisiu”  në Durrës dhjetra artdashës, të cilët duartrokitën artistët e ftuar shqiptarë dhe italianë.

Spektakli i organizuar nga shoqata “New Umor Sound” me qendër në Durrës kishte në qendër të programit një buqetë me këngë të njohura të shqiptare dhe italiane.

Këngëtarja Luljeta Strefi, që mbajti edhe peshën kryesore të shfaqjes interpretoi disa nga këngët më të mira të muzikës shqiptare ndër vite, interpretuar nga Vaçe Zela, Ardit Gjebrea dhe nga muzika folklorike, për të fituar më pas admirimin e publikut edhe me harmoninë e këngëve të njohura më parë nga Lara Fabian, Lucio Dalla, Mia Martini, Riccardo Cocciante, Giorgia, Anna Oxa- Fausto Leali, etj.

Spektatorët pritën ngrohtë Mjeshtrin e Madh Kastriot Tusha në kolazhin me këngë shqiptare dhe italiane, si dhe artistin napoletan Giusepe Palumbo.

Spektakli i cili nuk është i vetmi që organizon shoqata “New Umor Sound”. Ajo ka sjellë në Durrës artistë të njohur italianë, duke synuar njëkohësisht edhe binjakëzimin mes dy qyteteve bregdetare të Durrësit dhe Napolit. /e.malaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.