Bashkia e Tiranës hap aplikimet për 500 kredi të buta

TIRANË, 27 Mars/ATSH/- Pas aplikimit të 1 mijë kredive të zbutura për shtëpi, Bashkia e Tiranës do të hapë thirrjen e dytë për familjet e reja që nuk kanë mundësi të blejnë një banesë sipas normave të interesave të tregut.

Në total do jenë në dispozicion rreth 500 kredi me interesa të ulëta dhe që do mund të përfitohen nga familjet e reja që plotësojnë kriteret e përcaktuara. Bashkia e Tiranës ka përgatitur tashmë projektvendimin “Për miratimin e programit social të strehimit nëpërmjet subvencionimit të interesave të kredisë”, i cili pritet të miratohet në mbledhjen e ditës së enjte në Këshillin Bashkiak.

Përfitues potencial në programin “Subvencionimi i interesave të kredisë për familjet e reja”, do të jenë familjet e reja që përbëhen nga çifti i ri me moshë totale deri në 70 vjeç. Po kështu edhe familje të reja që kanë në ngarkim persona me aftësi të kufizuar apo persona në pension. Janë disa nga kriteret që duhet të plotësojnë ndër të cilat: Nuk kanë në pronësi një banesë, kanë të ardhura sipas limitit të përcaktuar në këtë program, nuk janë dhe nuk kanë qenë përfitues të programeve të tilla të ngjashme më parë.

Sipas materialit të dërguar nga zyra e shtypit të bashkisë, thuhet se sipas këtij projektvendimi, duke u nisur nga problematikat e hasura gjatë thirrjes së parë është parë e arsyeshme të ndryshojnë disa nga përbërësit e skemës së subvencionimit të interesave të kredisë dhe kufijtë minimal dhe maksimal të nivelit të të ardhurave që duhet të plotësojnë aplikuesit.

Së pari ndryshon mosha e përfituesve pasi është marrë në konsideratë fakti që disa përfitues për shkak të moshës së madhe janë penguar në klasifikimin për kredi. Tashmë mosha e çiftit duhet të jetë me moshë totale deri në 70 vjeç.

Së dyti, afati subvencionimit të kredisë do të rritet nga 15 në 20 vjeç, duke bërë që kësti mujor për një familje përfituese të jetë më i ulët dhe më i përballueshëm.

Së treti, ndryshojnë edhe të ardhurat e përkohshme.

Të gjithë aplikantët që të përfitojnë duhet të kalojnë dy faza aplikimi.

Në fazën e parë të aplikimit, çdo aplikant që ka mbushur moshën 18 vjeç dhe familjet që janë të regjistruara në zyrat e gjendjes civile të Bashkisë Tiranë, të cilat, në momentin e aplikimit, plotësojnë kushtet e përcaktuara në pikat ligjit “Për programet sociale të strehimit” kanë të drejtë të paraqesin kërkesë për të përfituar nga programi “Subvencionimi i interesave të kredisë”. Sakaq, aplikantët duhet të plotësojnë Formularin e Strehimit TIP, pranë Njësisë Administrative përkatëse, të cilit do t’i bashkëlidhin edhe dokumentacionin si: deklarata e vërtetësisë së informacionit të pasqyruar në formularin e strehimit, kopja e kartës së identitetit të aplikuesit, certifikata familjare. Pas plotësimit të formularit dhe dokumentacionit, Njësitë Administrative përkatëse i përcjellin ato në Bashkinë Tiranë, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Social, e cila realizon procesin e seleksionimit të formularëve të vlefshëm sipas këtyre kritereve të përcaktuara.

Pas marrjes së njoftimit, familjet përfituese, dorëzojnë pranë Zyrës së Pritjes me Qytetarin në Bashkinë Tiranë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm që vërteton deklarimin dhe vërtetësinë e plotësimit të formularit të strehimit në bazë të të cilit janë përzgjedhur fitues.

Në fazën e dytë të aplikimit, Drejtoria e Strehimit Social, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme për Marrëdhëniet me Publikun dhe Jashtë shpallin njoftimin për dorëzimin e dokumentacionit që duhet të dorëzojnë individët apo familjet që kanë kaluar fazën e parë të aplikimit.

Familjet përfituese pas marrjes së njoftimit nga Drejtoria e Strehimit, paraqesin pranë Zyrës së Pritjes me Qytetarin në Bashkinë Tiranë të gjithë dokumentacionin e kërkuar dhe që mbështetet në deklarimet e bëra dhe që aprovon vërtetësinë e aplikimin të bërë në momentin e dorëzimit të formularit të strehimit pranë Njesisë Administrative përkatëse.

Pas marrjes në dorëzim, të listës së inventarit, Komisioni i Strehimit, në bazë të dokumenteve të dërguara nga aplikuesit, kritereve për përzgjedhjen e përfituesve dhe formulës së pikëzuar, shqyrton dhe vlerëson aplikimet, duke vendosur piket për secilin aplikim.

Kufiri maksimal i kreditimit për familjet llogaritet deri në 80% të vlerës së pasurisë (bazuar tek kontrata e shitjes). Llogaritja e pagesave mujore (kësteve) është bërë, duke supozuar që interesi për kredimarrësin do të jete në normën 3%, për një periudhë kohe 20 vjeçare. /z.tosku//e.caushi/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.