Pastrimi i parave, 401 raste dhe 9 milionë euro të sekuestruara

TIRANË, 26 Mars /ATSH- I. Vata/ – Lufta kundër pastrimit të parave të pista ka qenë efikase, pasi gjatë vitit 2017 kemi referuar 401 raste të dyshuar për pastrim parash, nga 270 raste që janë dërguar në Policinë e Shtetit dhe 131 raste në Prokurori, ndërsa janë sekuestruar 9 milionë euro, ka deklaruar sot në Komisionin e Sigurisë Kombëtare Drejtor i Përgjithshëm i DPPPP, Arlind Gjokuta.

Komisioni i Sigurisë Kombëtare është mbledhur sot në seancë dёgjimore mbi raportimin vjetor të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit dhe Pastrimit të Parave për vitin 2017.

Drejtori i Përgjithshëm i DPPPP, Arlind Gjokuta në raportin e tij tha se viti 2017 ka qenë një vit i veçantë dhe intensiv për institucionin tonë për shkak të angazhimeve të rëndësishme.

“Gjatë vitit 2017 kemi referuar 401 raste të dyshuar për pastrim parash, nga këto 270 raste janë dërguar në Policinë e Shtetit dhe 131 raste në Prokurori. Burimi i referimit të rasteve është aktiviteti i dyshimtë, ku 85% e rasteve burimi e ka indicien nga këto raporte, falë efikasitetit të lartë të parandalimit të parave të pista në vend”, tha ai.

Po ashtu Gjokuta shprehet se “po gjatë vitit 2017 janë nxjerrë 52 urdhra bllokimi të përkoshme kryesisht për llogari bankare, me një vlerë totale prej 11,2 milionë euro, prej të cilave janë sekuestruar 9 milionë euro, ndërkohë janë shkëmbyer me SHISH një sërë rastesh për bashkëpunim të mëtejshëm”.

Më tej, Gjokuta shtoi se DPPPP ka vijuar bashkëpunimin me Policinë e Shtetit, ku vetëm në përgjigje të kërkesave të policisë në vitin 2017 janë verifikuar 2497 persona, ose 2 herë më shumë se mesatarja e katër viteve të fundit.

“Gjithashtu bashkëpunimi me prokuroritë e rretheve dhe me Prokurorinë e Përgjithshme ka qenë korrekt me tendencë përmirësimi, në krahasim me vitet më parë”, tha ai.

“Bashkëpunimi me policinë dhe SHISH ka qenë frytdhënës, po ashtu edhe me institucionet doganore dhe ato të tatimeve. “Përsa i përket autoritetit doganor, bashkëpunimi ka qenë në rritje dhe janë konstatuar 46 raste, megjithëse në gjykimin tonë ka ende vend për përmirësim”, tha ai.

Katër vitet janë bllokuar nga DPPPP, 75 milionë euro në llogari bankare

Drejtori i Përgjithshëm i DPPPP, Arlind Gjokuta në vijim shtoi se me autoritetin tatimor ka një bashkëpunim të mirë dhe gjatë vitit 2017, kemi deleguar 5 raste dhe ka ende nevojë për përmirësim të rasteve dhe kryesisht të OJQ-ve në kuadër të financimit të terrorizmit, radikalizmit, ekstremizmit, por dhe pastrimit të parave.

“Përsa i përket kontributit të institucionit tonë për reformën në drejtësi në kuadër të bashkëpunimit me Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, institucioni ynë ka kryer verifikime dhe ka kthyer përgjigje për 3 mijë persona”.

Në vijim, ai tha se “që prej muajit nëntor 2017 kemi bashkëpunim dhe me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe në kuadër të kthim përgjigjeve, po ashtu edhe me ekspertët e OMN-s, bashkëpunimi ka qenë konstant.

“Përsa i përket bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë kemi vijuar bashkëpunimin në shkëmbim informacioni me homologët jashtë vendit dhe struktura partnere brenda vendit”, tha Gjokuta.

Duke iu referuar statistikave dhe punës në rritje të institucionit, Gjokuta shtoi se “viti 2017 ka shënuar rritje me 7% të rasteve të dyshimta që subjektet e ligjit kanë raportuar në drejtorinë tonë, krahasuar me vitin 2016. Në vitin 2017 kemi 1384 raste të raportuar të aktiviteteve të dyshimta, kundrejt një viti më parë. Gjithashtu këtë vit është rritur me 40% numri i inspektimeve krahasuar me një vit më parë, ose konkretisht kemi 171 inspektime, kundrejt 122, inspektimeve 2016”.

Anëtari i komisionit të opozitës Ervin Salianji, në pyetjen e tij kërkon shpjegime në lidhje me hedhjen në qarkullim të parave të pista, për financimin e terrorizmit, mbikqyrjen e OJF-ve dhe rrisqet për financimin e ekstremizmit, si dhe parave të pista në fushatë elektorale.

Jemi të suksesshëm në goditjen dhe parandalimin e financimit të terrorizmit

Në përgjigjen e tij, Gjokutaj tha se potencialisht është e mundur që paratë kriminale të financojnë terrorizmin. “Në katër vite janë bllokuar nga drejtoria jonë 75 milionë euro në llogari bankare”, tha Gjokuta.

Më tej ai shton se “Përsa i përket financimit të terrorizmit kemi patur 5 raste të referuara, por jemi ne jemi një hallkë e këtij sistemi, por themi se sistemi është funksional dhe jemi shumë të suksesshëm në goditjen dhe parandalimin e këtyre fenomeneve”.

Përsa i përket verifikimit për politikanë të ndryshëm, Gjokutaj pohon se janë 13 raste të referuara kryesisht për korrupsion pasiv, këta nuk janë detyrimisht politikanë, por ajo kategori që janë të ekspozuar politikisht”, tha ai.

/a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.