Kosovë-Shkrin dëbora e pranverës, këtë javë rritje temperaturash

PRISHTINË, 26 Mars /ATSH/.-Në Kosovë sot është dita e tretë që po shkrin dëbora e reshjeve të gjatë katër ditëve, që nisën në ditën e ardhjes së pranverës, më 20 mars e pushuan në 24 mars.

Instituti Hidrometeorologjik parashikon se këtë javë, nga e mërkura, vendi do të përfshihet nga ndikimi i masave të ajrit me origjinë nga Afrika Veriore dhe do ketë rritje të temperaturave në të dy vlerat ekstreme.

Të hënën  dhe të martën masat e ajrit me presion të ulët do të mbesin aktive, duke krijuar një mot të vranët dhe me reshje shiu.

Nga e mërkura ka mundësi që në mëngjes të krijohet mjegulla e radiacionit si pasojë e ngritjes së temperaturave.

Temperaturat minimale parashikohen të lëvizin nga 0 deri 4 gradë Celcius, kurse, maksimalet e ditës 8-17 gradë.

Do të fryjë erë nga verilindja dhe jugperëndimi me shpejtësi maksimale deri 9 metra në sekondë./b.j/k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.