GJENEVË – OBSH: 500 milionë vezë të nevojshme për të luftuar gripin

257

GJENEVË, 26 mars /ATSH-DPA/ – Ndërkohë që shumë vezë po zbukurohen dhe konsumohen për sezonin e Pashkëve, një pjesë tjetër e tyre po përdoret në emër të shëndetit global për të ndihmuar në prodhimin e qindra miliona vaksinave kundër gripit.

“Çdo vit 500 milionë vezë përdoren për të prodhuar vaksinat e imunizimit”, deklaroi Martin Friede, kreu i studimeve të vaksinave në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH), në Gjenevë.

“Mbi 90% e vaksinave kundër gripit në mbarë botën prodhohen me ndihmën e vezëve”,  deklaroi Friede.

Shkencëtarët mbështeten në produkte që nuk mund të blihen në supermarkete.

Cilësia që u nevojitet mund të gjendet vetëm në ferma të veçanta, ku pulat mbahen në kushte të kontrolluara rreptësisht.

Dy herë në vit, ekspertët e OBSH-së planifikojnë se cilat variante të virusit të gripit do të dominojnë gjatë sezonit të ardhshëm të gripit.

Më pas, laboratorët prodhojnë viruset e nevojshme dhe i dërgojnë ato në fabrikat e vaksinave, ku dhe injektohen në vezë.

Pas rreth 10 ditësh, miliarda kopje të virusit zhvillohen në të bardhën e vezëve.

Më pas,  ato deaktivizohen me anë të nxehtësisë apo kimikateve duke i kthyer ato në vaksina të padëmshme, por efektive./ /a.i/ a.jor.

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.