E drejta e votës, mundësi e përfaqësimit të diasporës në parlament

TIRANË, 26 Mars /ATSH – I. Vata/ – Angazhimi i diasporës shqiptare në zhvillimin social dhe ekonomik të Shqipërisë dhe garantimi i të drejtës së votës, ka qenë fokusi i diskutimeve që Ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko dhe Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla patën në takimin me përfaqësues të komunitetit shqiptar dhe qeverisë lokale të Parmës, Itali.

Në takim morën pjesë përfaqësues të IOM në Shqipëri, agjencia e OKB-së që zbaton projektin, Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si dhe përfaqësues të Kooperacionit Italian që mbështet financiarisht këtë program.

Përfaqësuesit e shoqatës “Skanderbeg”, organizatore e aktivitetit, i njohën zyrtarët shqiptarë me inciativat dhe angazhimin e tyre për forcimin e marrëdhënieve mes bashkisë së Parmës dhe asaj të Tiranës.

Në fjalën e tij, Ministri Majko tha se ekzistojnë një sërë pikëpyetjesh sa i përket diasporës, por shqetësimi më i madh sipas tij, është marrëdhënia e ardhshme e shqiptarëve jashtë vendit me shtetin e tyre si dhe vlerësoi si shumë të rëndësishëm projektin e mbështetur nga qeveria Italiane, i pari i këtij lloji. “Komuniteti shqiptar në Itali është një prej më të mëdhenjve, por përfaqësimi në nivel shtetëror është i papërfillshëm”, tha Ministri.

Ai vlerësoi maksimalisht përpjekjet dhe angazhimin e shoqatave shqiptare në Itali, por e vuri theksin te nevoja e një organizimi më të madh mes tyre.

Ministri Majko informoi të pranishmit për progresin e shënuar sa i përket institucionalizimit të marrëdhënies me diasporën dhe përmendi konsensusin maksimal që ekziston mbi këtë çështje, si dhe u ndal tek përpjekjet që po bëhen për garantimin e të drejtës së votës, që sipas tij do të mundësojë përfaqësimin e diasporës në parlament.

Ndërsa ministrja Nikolla tha se “Kemi ide të mëdha, por nuk dua të tregohem entuziaste para kohe. Shpresojmë që edhe më ndihmën tuaj, t’i kthejmë shumë shpejt në realitet”, vijoi Ministrja. “Secili prej jush ka një histori për të rrëfyer. Modelet e suksesshme të integrimit dhe ruajtjes së traditave shqiptare, jo vetëm që duhet të mbështeten nga shteti shqiptar, por duhet të shërbejnë si shembull”, tha ministrja Nikolla.

Ajo falënderoi shtetin italian për mbështetjen që i ka dhënë arsimit dhe vlerësoi projektet që do të mundësojnë shkëmbime studentore e akademikësh dhe krijimin e një baze të dhënash për mësuesit e diasporës. “Këtyre mësuesve duhet t’u bëhemi një krah i fortë mbështetës”, shtoi Nikolla.

Ndërkaq, përfaqësuesi i Kooperacionit Italian Endri Xhaferaj, tha se besonin në një model të ri të qasjes ndaj komuniteteve me eksperiencë domëthënëse, si ai shqiptar.

Shqipëria, sipas tij, ka një vend prioritar në programin e Kooperacionit Italian, që vepron në mbi 60 shtete. Me herët, dy ministrat takuan në stadiumin e Parmës, lojtarët e skuadrës “Skanderbeg Parma”, e menaxhuar nga një shqiptar.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.