Aparatuara të reja për laboratorin biokimik të spitalit të Fierit

TIRANË, 26 Mars/ATSH/.- Spitali Rajonal i Fierit ka zgjeruar shërbimin e analizave përmes aparaturave të reja që kanë fuqizuar laboratorin biokimik të këtij spitali.

Për herë të parë në këtë spital rajonal tashmë qytetarët fierakë mund të kryejnë analizat, pas u është dashur të shkojnë në spitale jopublike, apo të nisen drejt Tiranës për këto shërbime.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ogerta Manastirliu, shprehet se “po fuqizojmë shërbimin spitalor, pasi çdo ditë po bëjmë nga një punë për të ofruar shërbim me cilësi afër vendbanimit të qytetarëve”.

“Një sërë analizash për sëmundjet tumorale, për tiroiden, analiza hormonale dhe një seri analizash për gratë shtatzëna, po kryhen për herë të parë në këtë spital rajonal, duke u kursyer pacientëve pagesat në spitalet jopublike, ose rrugëtimin drejt Tiranës për këto shërbime”, thekson Manastirliu.

Qeveria shqiptare vijon investimet në sektorin e shëndetësisë në të gjithë vendin në infrastrukturë dhe pajisje mjekësore, për të rritur cilësinë e shërbimit sa më pranë vendbanimit të qytetarëve./k.s/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.