Zyra të reja “One stop shop”, shërbim sa më të mirë policor për qytetarët

TIRANE, 25 Mars/ATSH/- Në kuadër të ristrukturimit të Drejtorisë së Policisë Elbasan jo vetëm në strukturë por edhe në filozofi, në bashkëpunim me pushtetin vendor dhe projektin suedez SCPA, krijohen zyra të reja në zonat policore për të qenë sa më afër problemeve që hasen në komunitet.

Zv/ministrja e Brendshme, Romina Kuko, së bashku me Drejtorin Vendor të Policisë Elbasan Altin Qato, përfaqësues të pushtetit vendor dhe të projektit suedez, ka inspektuar zyrën e përbashkët të shërbimit, në një nga zonat policore në qytet.

“Në çdo zonë policore do të kemi një patrullë në turn, e cila përbëhet nga dy veta. Janë 10 punonjës policie në Patrullën e Përgjithshme. Kemi dy inspektorë krimesh. Inspektorë të Rendit të Policisë në komunitet kemi tre, dhe të gjithë së bashku do të kenë një zyrë të vetme. Punonjësit e policisë në zonën policore, nuk ndërrojnë territorin, por ndërrojnë turnet. Në çdo moment që ka nevojë për të ballafaquar, për të bërë ndonjë verifikim, për të komunikuar me inspektorët e zonës ose inspektorët e krimeve vijnë dhe paraqiten në këtë zyrë. Pra i gjithë grupi është përgjegjës për zonën policore”, tha Qato.

Ai sqaroi se në zyrat e reja punonjësit e Policisë si dhe të administratës vendore njihen me shqetësimet dhe problemet e komunitetit, ku secili merr përsipër zgjidhjen e problemeve sipas kompetencave.

Me këtë model krijojmë raportin me tre aktorët, qytetarët të cilëve ne i shërbejmë, pjesa administrative i shërben çfarë ka të bëjë me pushtetin vendor, ne për sigurinë dhe bashkërisht i zgjidhim këto probleme”, theksoi Qato.

Zv.ministrja Kuko u shpreh se policia ka përgjegjësinë e saj, detyrat për sigurinë dhe rendin publik, por e vetme nuk mund t’ia dalë dot.

“Kështu që pa ndihmesën dhe mbështetjen e pushtetit vendor dhe të qytetarëve është e vështirë. Gjithashtu falënderoj edhe përfaqësuesit e projektin suedez për gjithë kontributin e tyre në pilotimin e ristrukturimit të DVP.Elbasan”, tha ajo. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.