Pacolli: Greqia të rishqyrtojë njohjen e Kosovës

 

PRISHTINË, 25 mars/ATSH/.- Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Behxhet Pacolli, uroit sot shtetin dhe popullin grek me rastin e shënimit të përvjetorit të Pavarësisë, duke i bërë thirrje udhëheqësve të Institucioneve të këtij shteti që ta rishqyrtojnë njohjen e Republikës së Kosovës si shtet të Pavarur dhe Sovran.

“Sot, Greqia po feston përvjetorin e 197-të të Pavarësisë. Popullit grek dhe përfaqësuesve të Institucioneve i dëshiroj urimet më të sinqerta për më shumë begati, zhvillim dhe mirëqenie. Kosova dhe Greqia ndajnë vlera të përbashkëta demokratike dhe kanë orientim të qartë Euro-Atlantik.  Prandaj, i bëj thirrje institucioneve të këtij vendi, që të reflektojnë edhe njëherë dhe ta njohin Republikën e Kosovës si shtet të Pavarur dhe Sovran”, thekson kryediplomati kosovar.

Pacolli shprehet se “Greqia nuk ka asnjë arsye që mos ta njoh Kosovën. Ajo ka qenë dëshmitare e të gjitha zhvillimeve politike në Kosovë dhe rajon dhe rrotën e historisë nuk mund ta kthejë askush mbrapa. Greqia duhet ta bëj hapin e parë të njohjes nga pesë vendet mos-njohëse të BE-së”./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.