Hodaj: Shumë shpejt rezultate konkrete nga Vetting-u në polici

TIRANE, 25 Mars/ATSH/- Brenda disa javësh do të ketë rezultate konkrete të procesit të Vetting-ut në Policinë e Shtetit.

Kështu deklaron zëvendësministri i Brendshëm Julian Hodaj  duke theksuar se mbështetja dhe vlerësimi i FBI-së për procesin e vettingut në polici janë një garanci e shtuar dhe inkurajim i vlefshëm për realizimin e një procesi cilësor, që do të ndihmojë organizatën e policisë të jetë efikase në betejën e saj të përditshme për goditjen e krimit dhe shtimin e sigurisë publike.

Hodaj nënvizon se ndihma e partnerëve ndërkombëtarë të Ministrisë së Brendshme për Vetting-un në polici ka qenë dhe mbetet e vyer për të siguruar rezultatet e pritshme drejt pastrimit dhe rritjes cilësore të organizatës.

Ai sjell në vëmendje takimet e zhvilluar në  SHBA të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj ku procesi i vettingut në Policinë e Shtetit, Gardën e Republikës dhe Shërbimin për Çështjet e Brendshme e Ankesat në Ministrinë e Brendshme ka marrë vlerësime pozitive e mbështetje edhe nga Zyra Federale e Hetimit (FBI).

Zëvendësdrejtori i FBI-së, David L. Bowdich, gjatë takimit me Ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj në Uashington, ka vlerësuar reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për reformimin e policisë dhe veçanërisht procesin e Vetting-ut.

Bowdich konstatoi se vlerat dhe standardet, mbi të cilat mbështeten këto reforma të qeverisë shqiptare, reflektojnë ato të ndjekura nga FBI. Zv/drejtori i FBI shpjegoi gjerësisht për delegacionin shqiptar si realizohet procesi i shqyrtimit të aplikimeve, hetimit të së shkuarës dhe aseteve, testimit dhe deri në fazën e nënshtrimit ndaj poligrafit. Ky proces zbatohet periodikisht nga FBI, çdo 5 vjet.

Duke marrë parasysh kohën, energjitë, burimet njerëzore dhe financiare që kërkon procesi i verifikimit të integritetit të çdo punonjësi, z.Bowdich vlerësoi nismën e Ministrit të Brendshëm për Vetting-un në polici, si një kontribut të çmuar për përmirësimin e kulturës së organizatës policore në Shqipëri./a.gegvataj/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.