Kosova e përkushtuar për forcimin e paqes dhe fqinjësisë së mirë

PRISHTINË,  24 Mars/ATSH/.- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke përkujtuar sot 19 vjetorin e fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s kundër forcave ushtarake serbe, shprehet se ndërhyrja e NATO-s kishte mbetur alternativë e vetme për t’i dhënë fund vuajtjeve të popullit tonë.

“Sot u bënë 19 vjet nga fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s kundër forcave ushtarake e policore serbe. Pasi përpjekjet diplomatike ndërkombëtare nuk e ndalën agresionin e regjimit të Millosheviqit në Kosovë, ndërhyrja e NATO-s kishte mbetur alternativë e vetme për t’i dhënë fund vuajtjeve të popullit tonë”, shkruan Thaçi.

Presidenti shprehet se u jemi përjetësisht mirënjohës SHBA-së, shteteve të BE-së dhe Aleancës së NATO-s, që me ndëryrjen e tyre hapën kapitullin e çlirimit të Kosovës.

“Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për forcimin e paqes, sigurisë dhe për një të ardhme në fqinjësi të mirë në tërë rajonin”, përfundon Thaçi./k.s/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.