Turizmi kulturor, destinacioni i preferuar i të huajve

TIRANË, 23 Mars/ATSH/.- Shqipëria është shumë e pasur me bukuri natyrore, si peizazhet e bukura malore dhe bregdeti mahnitës, ndërsa vijon të cilat i gjejmë shpesh edhe në guidat e revistat më prestigjioze në botë.

Por përveç këtyre një vend të veçantë në vendin zë edhe turizmi kulturor, ku muzetë dhe kalatë e shumta anembanë Shqipërisë po tërheqin një numër përherë e më të madh vizitorësh vendas, por edhe të huaj.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, në një video të publikuar në Twitter bën të ditur numrin e vizitorëve në dy muajt e parë të vitit 2018, që kanë parë nga afër muzetë dhe kalatë në qytete të ndryshme të vendit.

Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Kulturës tregojnë se, numri i vizitorëve në dy muajt e parë të vitit 2018, në muze, kala dhe parqe është rritur me 91%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Destinacioni kulturor më i preferuar nga vizitorët janë muzetë, ndryshe nga një vit më parë ku dominonin parqet arkeologjike.

Për janar-shkurt 2018 muzetë kanë patur 14,154 vizitorë, nga 5,960 që kanë patur në Janar – Shkurt 2017.

Edhe numri i personave që kanë vizituar kalatë është rritur krahasuar me vitin e shkuar. Kalatë kanë patur në këto dy muaj 7,122 vizitorë, nga 4,581 vizitorë të të njëjtës periudhë të një viti më parë.

Një shtim të numrit të vizitorëve ka patur edhe në parqe, ku numërohen 5,616 persona nga 3,534 në Janar – Shkurt 2017.

Në Shqipëri ndodhen një sërë kalash si : kalaja e Gjirokastrës, kalaja e Lëkurësit, Sarandë, kalaja e Krujës, kalaja e Beratit, Kalaja e Petrelës, Tiranë, Kalaja e Ali Pashës, Tepelenë, kalaja e Rozafës, Shkodër etj, ndërsa nga muzetë përmendim Muzeun e Ikonografise “Onufri” dhe Muzeu Etnografik në Berat, Muzetë Arkeologjikë në Durrës, Tiranë, Korçë, Muzeu i armëve dhe Etnografik në Gjirokastër, Muzeu Etnografik në Sarandë, Muzeu Historik Kombëtar, Tiranë, Muzeu Arkologjik, Tiranë, Muzeu Historik, Shkodër etj.

/k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.