Thaçi e Vuçiç vazhdojnë sot dialogun në Bruksel

PRISHTINË, 23 Mars/ATSH/.- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, me lehtësimin e përfaqësueses së lartë e Bashkimit Europian, Federica Mogherini, pritet të vazhdojnë sot në Bruksel dialogun në nivelin më të lartë politik.

Takimi ndërmjet dy presidentëve ka si synim avancimin përpara të dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit dhe normalizimin e marrëdhënieve.

Bashkimi Europian insiston që Prishtina dhe Beogradi të normalizojnë marrëdhëniet dhe se përparimet në këtë dialog po konsiderohen kushti kyç për të dyja shtetet në rrugëtimin e tyre integrues europian.

Me Strategjinë e re të zgjerimit, Komisioni Europian vetëm sa u ka përsëritur si Kosovës ashtu edhe Serbisë, domosdoshmërinë e arritjes së një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve në mënyrë që të dyja shtetet të ecin drejt proceseve integruese.

Një marrëveshje e tillë, është parashikuar të arrihet gjatë vitit 2019.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në një intervistë dhënë për Radion Evropa e Lirë, një ditë para këtij takimi, theksoi se nuk pret ndonjë mrekulli nga ky takim, por rritje të përgjegjësive dhe angazhimeve.

“Pres vazhdimësi të këtij procesi, nuk pres ndonjë mrekulli, por shoh një rritje të përgjegjësive dhe angazhimeve nga Mogherini që normalizimi i marrëdhënieve mes shteteve tona Kosovës dhe Serbisë të hyjë në një fazë të re, të hyjë në fazën finale, të arrihet një marrëveshje historike që do të nënkuptonte përmbylljen e të gjitha kapitujve mund të them të errësirës, konflikteve e problemeve dhe hapjen e kapitujve të bashkëpunimit të mirëkuptimit të fqinjësisë së mirë dhe pajtimit”, theksoi Thaçi.

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç kishte deklaruar këto ditë se shteti i tij është i gatshëm për kompromis për çështjet e pazgjidhura me Kosovën.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë zhvillohet në dy nivele, atë politik, ku delegacionet përfaqësohen nga presidentët e shteteve apo kryeministrat, dhe niveli teknik, që zhvillohet përmes ekipeve të ekspertëve, ministrave dhe përfaqësuesve të institucioneve nga të dyja shtetet. Fillimisht, bisedimet nisën me takimet në nivelin teknik në mars të vitit 2011. Por, ndërkohë, po me lehtësimin e Brukselit, u iniciuan edhe takimet në nivelet më të larta politike.

Ndër marrëveshjet e para ka qenë ajo për Menaxhimin e integruar të kufirit apo për lëvizjen e lirë. Kosova dhe Serbia, ndërkaq kishin arritur marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve në prill të vitit 2013, e cila, ndër tjera, parasheh edhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Krahas asaj marrëveshje, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar edhe marrëveshje tjera, si atë për energjinë, lëvizjen e lirë, njohjen e diplomave universitare, atë për tabelat e automjeteve, marrëveshjen për menaxhim të integruar të kufirit e të tjera./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.