Shqipëri- Zvicër, marrëveshje për qeverisjen vendore dhe zhvillimin ekonomik

TIRANË, 23 Mars/ATSH/.- Shqipëria dhe Zvicra nënshkruan sot 2 marrëveshje me vlerë 8.2 milionë euro për qeverisjen vendore dhe zhvillimin ekonomik.

ZëvendësKryeministrja Senida Mesi mirëpriti sot Ambasadoren Ruth Huber, Shefe e Departamentit për Bashkëpunimin me Evropën Lindore në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Zvicrës.

Zyrtarja e lartë zvicerane dhe zv/kryeministrja Mesi nënshkruan 2 marrëveshje që sigurojnë fonde dhe mbështetje teknike në fushat e qeverisjes dhe ekonomisë. Njëra, për Programin për Decentralizim dhe Zhvillim Lokal (dldp) dhe tjetra për RisiAlbania, një program punësimi për të rinjtë.

Të dyja projektet arrijnë një vlerë prej 8.2 milionë euro dhe janë vazhdim i fazave të mëparshme të mbështetjes zvicerane për Shqipërinë.

Në takim u diskutua edhe për mbështetjen e qeverisë zvicerane lidhur me rastet e emergjencave civile dhe fatkeqësive natyrore.

Pas nënshkrimit të dy marrëveshjeve, në fjalën e saj përshëndetëse, Mesi theksoi bashkëpunimin afatgjatë dhe më shumë se 25-vjeçar të Shqipërisë me qeverinë zvicerane. Ajo u ndal tek 2 projektet, duke i cilësuar ato si shumë të rëndësishme dhe duke nënvizuar faktin se në fazat e mëparshme kanë rezultuar shumë të suksesshme.

Për sa i përket Programit për Decentralizim dhe Zhvillim Lokal (dldp), Mesi shprehu bindjen se ky projekt, edhe pse në fazën finale, do të kontribuojë më tej në forcimin e qeverisjes lokale. Ajo përshëndeti po ashtu fillimin e një projekti të ri në këtë drejtim – Bashkitë e Forta.

Në lidhje me marrëveshjen e dytë për “RisiAlbania”, Mesi nënvizoi faktin se një projekt i tillë i cili ka në fokus punësimin e të rinjve në sektor të ndryshëm si inovacioni, bujqësia, zhvillimi rural apo turizmi, i përgjigjet më së miri edhe prioritetit kryesor të qeverisë shqiptare, që është punësimi. “Si rezultat, ne besojmë që një projekt i tillë, do të ndihmojë edhe qeverinë shqiptare në realizimin e këtij objektivi”, shtoi ajo.

Duke shprehur falënderim të veçantë për Strategjinë e Bashkëpunimit Zviceran në Shqipëri për vitet 2018-2021 që u prezantua para pak kohësh, Mesi theksoi se bashkëpunimi afatgjatë mes 2 vendeve është një dëshmi e qartë se qeveria zvicerane është pikërisht aty për të ndihmuar dhe mbështetur Shqipërinë në të gjithë nismat e saj dhe kjo e fundit është e angazhuar plotësisht në përmbushjen e objektivave.

Ndërsa zyrtarja e lartë zvicerane Ambasadorja Ruth Huber përgëzoi reformat e Shqipërisë të ndërmarra deri më tani nëpërmjet mbështetjes zvicerane dhe ndërkombëtare si ajo e Reformës Territoriale dhe Administrative. “Në Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), ne jemi gjithmonë të lumtur të bashkojmë forcat dhe përpjekjet me qeveritë mike. Për më tepër, që Shqipëria është për ne një prej 4 shteteve prioritare”, tha ajo.

Dy javë më parë është lançuar Strategjia e Bashkëpunimit Zviceran në Shqipëri për vitet 2018-2021, e cila parashikon mbështetje për vendin tonë në 4 fusha kryesore: qeverisja demokratike, zhvillimi ekonomik e punësimi, shëndetësia, si dhe infrastruktura e energjia.

Marrëveshjet e nënshkruara sot janë shembujt e parë konkretë të projekteve që përfshihen në strategjinë e mbështetjes zvicerane.

Shqipëria është një shtet prioritar në bashkëpunimin ndërkombëtar zviceran. Ndërsa aktualisht, Zvicra ngelet një prej donatorëve bilateral më të mëdhenj për vendin tonë./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.