SHBA-Shqipëri, memorandum bashkëpunimi në luftë kundër terrorizmit

TIRANË, 23 Mars /ATSH- I. Vata/ – SHBA dhe Shqipëria kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi midis dy qeverive, në luftën kundër terrorizmit.

Sipas Ministrisë së Brendshme, marrëveshja u nënshkrua sot nga Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe Zëvendës Koordinatorja për Antiterrorizmin, Alina Romanowski.

Në takim, ministri Xhafaj u fokusua në përpjekjet e Shqipërisë lidhur me parandalimin e fenomenit të radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm si dhe forcimin e luftës kundër terrorizmit.

Po ashtu, Xhafaj, prezantoi në këtë kontekst, reformat e ndërmarra në këtë fushë duke përfshirë edhe ato për Policimin në Komunitet, me qëllim kontrollin më të mirë të territorit dhe përmirësimin e marrëdhënies me komunitetin, me fokus parandalimin e kriminalitetit.

Ai theksoi gjithashtu se prioritet për Qeverinë shqiptare mbetet ruajtja dhe menaxhimi i integruar i kufijve, proces i cili asistohet teknikisht edhe nga Departamenti i Shtetit, përmes një sërë projektesh konkrete.

Ndërsa, Romanowski vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm dhe siguroi vazhdimësinë e mbështetjes amerikane sa i takon sigurisë kufitare, si dhe inkurajoi proceset e nisura në Policinë e Shtetit, veçanërisht reformën e Policimit në Komunitet, zbatimi me sukses i të cilës do të ndikojë në parandalimin e kriminalitetit dhe radikalizmit.

Ministri Xhafaj e informoi Romanowski lidhur me reformat e tjera të rëndësishme në luftë kundër krimit të organizuar, operacionin “Forca e Ligjit”, luftën kundër trafikut të drogës, kontrabandimit të migrantëve etj.

Në fund, palët nënshkruan një memorandum bashkëpunimi midis dy qeverive, në fushën e luftës kundër terrorizmit./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.