Rriten investimet e huaja në vend, sektorët kyç

TIRANE, 23 Mars /ATSH/-Projektet madhore në sektorin energjetik, të gazit dhe nga industria nxjerrëse dhe shërbimet financiare, po vijojnë të injektojnë rritje të investimeve të huaja në ekonominë shqiptare.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, investimet e huaja direkte në vitin 2017 arritën vlerën e 970 milionë eurove, me një rritje rreth 3.6% më shumë krahasuar me vitin 2016.

Fluksi i investimeve të huaja në tremujorin e tretë të vitit të kaluar është rishikuar në rritje nga Banka e Shqipërisë, ndërsa epërsia e projekteve që po marrin start këtë vit në infrastrukturë, (akse rrugore kombëtare, aeroporte, hekurudha e porte) pritet të konsolidojnë rritjen e qëndrueshme të investimeve në ekonomi.

Avancimi i punimeve në projektet energjetike, siç është TAP apo HEC-i në kaskadën e Devollit dhe hyrja në ciklin të ri të investimeve, “çertifikon” trendin se ekonomia shqiptare do të arrijë të thithë shifra të krahasueshme të investimeve të huaja edhe për vitet e ardhshme.

Pas vitit 2013, vlerat e larta të investimeve të huaja kanë qenë ndër kontribuuesit kryesorë të rritjes ekonomike në Shqipëri, citon BSH-ja.

Ndërsa një burim tjetër i rëndësishëm të ardhurash për ekonominë, janë edhe remitancat që po zgjerojnë ende edhe sot prurjet valutore në vendin tonë.

Për tremujorin e katërt, emigrantët sollën 172 milionë euro në ekonominë shqiptare. e.xh/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.