Rama për ‘Financial Times’: Kërkojmë fillimin e shpejtë të bisedimeve për anëtarësim në BE

TIRANE, 23 Mars/ATSH/- “Ajo qe duam ne tani është thjesht të shpërblehemi për atë që bëmë dhe që procesi të jetë i ndershëm dhe i parashikueshëm”, deklaron kryeministri Edi Rama në një intervistë për gazetën ‘Financial Times’.

Duke kërkuar fillimin e bisedimeve për t’u anëtarësuar në BE si pjesë e zgjerimit të Ballkanit Perëndimor për të forcuar sigurinë Europiane, Rama shprehet se “do të ishte shumë e çuditshme nëse Shqipëria nuk do të fillonte menjëherë negociatat pasi ka bërë saktësisht çdo gjë që i ishte kërkuar të bëjë”.

Kryeministri ndalet edhe tek reforma në drejtësi, duke theksuar se “17 gjykatës dhe prokurorë kishin zgjedhur të vetëlargoheshin, në vend që t’i nënshtroheshin një rivlerësimi lidhur me punën në të kaluarën dhe burimin e pasurisë së tyre”.

Shkrimi i plotë i ‘Financial Times’:

Kryeministri i Shqipërisë tha se vendi kishte punuar fort kundër problemeve te drogës dhe korrupsionit në drejtësi

Michael Peel në Bruksel

Kryeministri shqiptar ka kërkuar fillimin e bisedimeve për t’u anëtarësuar në BE si pjesë e zgjerimit të Ballkanit Perëndimor për të forcuar sigurinë Europiane.

Edi Rama tha se do të ishte “çmenduri” për BE-në nëse do të dështonte të përfshinte një rajon në qendër të rrugëve të migracionit dhe të cilit,  ia ka vënë syrin Rusia si një çmim strategjik.

Kryeministri argumentoi se Tirana kishte punuar shumë kundër problemeve të drogës dhe korrupsionit në sistemin e drejtësisë, duke u bërë një kandidat serioz në përmbushjen e ambicieve të Brukselit për vendet e Ballkanit Perëndimor për të marrë miratimin deri në 2015-ën.

“Do të ishte shumë e çuditshme nëse Shqipëria nuk do të fillonte menjëherë negociatat pasi ka bërë saktësisht çdo gjë që i ishte kërkuar të bëjë”, tha artisti tashmë në krye të qeverisë në një intervistë, duke vënë në dukje se Serbia dhe Mali i Zi tashmë i kane filluar bisedimet e anëtarësimit. “Ajo qe duam ne tani është thjesht të shpërblehemi për atë që bëmë dhe që procesi të jetë i ndershëm dhe i parashikueshëm.”  

Z. Rama foli për gazetën Financial Times gjatë një vizite në Bruksel përpara samitit të BE-së këtë javë.

Komentet e tij pasqyrojnë një mërzitje në Tiranë për shkak se Shqipëria nuk është lejuar akoma të fillojë bisedimet pavarësisht nga progresi i bërë me reformat ekonomike dhe politike.

Aleksandar Vuçiç, presidenti i fortë serb, është përqafuar nga BE-ja pasi ai deklaroi se bashkimi me bllokun e 28 vendeve është qëllimi i tij politik kryesor, megjithëse ai është ndeshur me kritika në vendin e tij nga disa vëzhgues të huaj se gjoja ka shtrënguar lirinë e medias.  

Z.Rama i bëri thirrje Komisionit Europian të rekomandojë hapjen e negociatave të anëtarësimit me qëllim që udhëheqësit e vendeve të BE-së të mund ta miratojnë atë gjatë samitit të qershorit. Ai vuri në dukje rëndësinë e Shqipërisë dhe të vendeve fqinje në frenimin e vërshimit të emigrantëve në bllok duke shtuar se interesi dhe influenca e Rusisë në Ballkanin Perëndimor, ndonjëherë kjo është e zmadhuar, ishte reale.

“Moska asnjëherë nuk ka hequr dorë nga vlerësimi i rëndësisë gjeografike të rajonit- gjë që nuk shihet nga shumë në BE, me përjashtim të Kancelares gjermane Angela Merkel,” tha shtatlarti Rama, i cili ka qenë pjesëtar i ekipit të basketbollit të Shqipërisë. “Është çmenduri të mendosh se Ballkani Perëndimor mund të lihet mënjanë, le më pastaj jashtë Europës.”

Tirana dëshiron shumë të përfitojë nga shenjat e vrullit të përtërirë të zgjerimit të BE-së pasi muajin e kaluar Komisioni publikoi strategjinë e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor. Dokumenti sugjeronte që Shqipëria dhe pesë vende të ish-Jugosllavisë mund të hyjnë në BE brenda tetë vitesh, por vetëm në qoftë se ato plotësojnë kushtet e rrepta si zgjidhja e konflikteve të dallueshme dypalëshe dhe korrupsionin.

 Disa vende anëtare të BE-së mbeten skeptike lidhur me perspektivën e anëtarësimit  të grupit të gjashtë vendeve në kushtet e “lodhjes më të gjerë të anëtarësimit”, që pasoi krizën financiare të vitit 2008, problemet e borxhit të eurozonës dhe votimin për daljen e Britanisë së Madhe nga Unioni. Liderët e bllokut do të takohen me homologët e tyre të Ballkanit Perëndimor  në një samit të veçantë në Sofje në muajin maj.

Zoti Rama argumentoi se vendi i tij ka bërë “progres mbresëlënës” në uljen e kultivimit të kanabisit dhe numrit të vrasjeve. Ai shtoi se problemet e vendit me heroinën dhe kokainën nuk janë “tipike” krahasuar me vendet të tjera europiane.

Ai pranoi se lufta kundër korrupsionit është “një betejë e përhershme”, por një fushatë kundër korrupsionit në sistemin e drejtësisë ka sjellë tashmë rezultatet e para. Ai tha se 17 gjykatës dhe prokurorë kishin zgjedhur të vetëlargoheshin, në vend që t’i nënshtroheshin një rivlerësimi lidhur me punën në të kaluarën dhe burimin e pasurisë së tyre.

Kryeministri u shpreh se shpresonte lidhur me një marrëveshje të afërt me Greqinë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mbi ujërat territoriale në Detin Jon dhe kompensimin e pronave të çamëve, një pakicë shqiptare e dëbuar nga veriperëndimi i Greqisë gjatë Luftës së II Botërore.

“Rreth verës, shpresoj që do të zgjidhim gjithçka”, tha ai, duke shtuar se Shqipëria dhe Greqia janë teknikisht ende në luftë falë një trashëgimie tjetër të Luftës së II Botërore.

“Pra, 70 vjet histori nuk do të jenë më pengesë në rrugën drejt së ardhmes”, u shpreh ai./u.sh/ /p.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.