KINË – Pekini: Do të luftojmë deri në fund në çdo luftë tregtare

316

PEKIN, 23 mars /ATSH/ – Ministria e Jashtme kineze ritheksoi të premten qëndrimin e saj mbi lëvizjet e fundit tregtare të ShBA-së, duke thënë se Kina do të luftojë deri në fund në çdo luftë tregtare, sipas CRI-së

Në një konferencë të përditshme shtypi zëdhënësja e kësaj ministrie Hua Chunying tha se Kina u kërkon Shteteve të Bashkuara të marrin vendime të arsyeshme dhe të kujdesshme.

Me gjithë paralajmërimet e forta nga grupet e biznesit dhe ekspertët e tregtisë, presidenti i SHBA-së Donald Trump nënshkroi të enjten një memorandum, mbi bazën e të cilit mund të vendosen tarifa mbi deri 60 miliardë dollarë amerikanë importe nga Kina dhe kufizimet mbi investimet kineze në Shtetet e Bashkuara.

Ndërkohë, një këshilltar tregtar i Shtëpisë së Bardhë u tha gazetarëve se hakmarrja mund të ishte e vështirë për Kinën.

Në përgjigjen e saj, zëdhënësja Hua Chunying u shpreh se këto komente tregojnë një keqkuptim të situatës, duke nënvlerësuar vendosmërinë dhe aftësinë e Kinës për të mbrojtur interesat e saj të ligjshme dhe çmimin që duhet të paguajnë Shtetet e Bashkuara për veprimet e tyre arbitrare./G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.