Administratë publike të depolitizuar dhe profesionale

202

TIRANË, 23 Mars/ATSH/.- Krijimi i një administrate publike të depolitizuar dhe profesionale duhet të jetë prioriteti numër 1, deklaroi të premten Presidenti Ilir Meta.

I pranishëm në konferencën me temë “Gratë në shërbimin publik, zbatimi i të drejtave, realitete dhe sfida në vendimmarrje”, Meta theksoi domosdoshmërinë  e kualifikimit dhe trajnimit të vazhdueshëm të burimeve tona njerëzore në funksion të progresit dhe sfidave aktuale të globalizimit.

Reforma në administratën publike, sipas tij, ka një rëndësi madhore në procesin e integrimit europian dhe është “gur themeli” në krijimin e shtetit të së drejtës, në përmbushjen e reformave strukturore dhe në garantimin e mirëqeverisjes.

Administrata publike, tha Meta, duhet të ofroj shërbime utilitare cilësore që kënaqin pritshmëritë e qytetarëve tanë.

“Angazhimi i grave në administratën publike është fakt i pamohueshëm emancipimi social në Shqipëri”, u shpreh Presidenti.

Ai u bëri apel institucioneve, parlamentit, shoqërisë civile, botës akademike, mediave dhe sektorit privat, që të prioritarizojnë më shumë në punën e tyre fuqizimin social dhe ekonomik të grave.

“Apel edhe për zgjedhjet e ardhshme lokale për promovimin e sa më shumë grave dhe vajzave modele suksesi, per t’u kandiduar si kryetare bashkish dhe për t’u bërë pjesë e këshillave bashkiake. Angazhimi i grave dhe vajzave në administratën publike, në politik-bërje apo në vendimmarrjen politike është kontribut i çmuar për një shoqëri demokratike”, u shpreh Kreu i Shtetit./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.