SHBA – Uashingtoni: BE-ja dhe disa vende të tjera për momentin përjashtohen nga tarifat doganore

UASHINGTON, 22 mars /ATSH-AFP/ – Bashkimi Europian dhe shumë vende të tjera do të përjashtohen për momentin nga tarifat doganore të shpallura nga administrata Trump mbi importimin e çelikut dhe aluminit, njoftoi sot përfaqësuesi amerikan i Tregtisë (USTR) Robert Lighthizer.

I pyetur mbi çështjen e përjashtimeve, gjatë një dëgjese para Kongresit amerikan, Lighthizer u përgjigj se “kemi dy vendet e ALENA-s dhe e dimë se cilët janë (Kanadaja dhe Meksika). Kemi gjithashtu Europën. Kemi Australinë, Argjentinën dhe Brazilin dhe ndonjë tjetër që mund ta kem harruar, por sigurisht që kemi edhe Korenë e Jugut me të cilën po zhvillojmë negociata”.

Presidenti Donald Trump ka miratuar imponimin e taksave doganore prej 25% mbi çelikun dhe 10% mbi aluminin, një masë kjo që ka sjellë reagime të forta nga vendet aleate të amerikës, si dhe ka hapur një seri negociatash mes SHBA-së, BE-së dhe shumë vende të tjera për përjashtim nga kjo masë./G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.