Policimi në komunitet, projekti suedez dhuron biçikleta për punonjësit e policisë

Tiranë, 22 Mars/ATSH/- Projekti suedez SCPA, ka dhuruar sot disa biçikleta për punonjësit e policisë së Elbasanit, në kuadër të forcimit të policimit në komunitet.

Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë, zv/ministrja e Brendshme, Romina Kuko, Drejtori Vendor i Policisë, Altin Qato, përfaqësuesit e projektit SCPA, Ansi Shundi, këshilltari policor ndërkombëtar, Alexius Schubert, eksperti për menaxhimin strategjik, Ulrich Paul Dugas, në përbërje të ekipit menaxhues të programit SCPA.

Drejtori Vendor i Policisë, Qato, gjatë fjalës së tij ka shpjeguar të rejat e ristrukturimit të Drejtorisë si dhe ka vlerësuar dhurimin e biçikletave për punonjësit e Policisë së zonave urbane, çka do të sjellë ndihmesë dhe përmirësim në punën e tyre.

“Kemi bërë shumë punë bashkë. E para kemi bërë gjithë studimin dhe analizimin e problemeve, kemi identifikuar gjithë problemet së çfarë nuk shkon në strukturë, kemi bashkëpunuar pët të dhënë zgjidhjet.
Ne e kemi shpjeguar edhe më parë, strukturën, ka një risi me shtimin e sektorëve të rinj. Shumë fokus kemi vendosur edhe tek policimi në komunitet dhe për këtë janë bërë procedurat pothuajse nga e para. Përveç këtyre, bashkë me kolegët kemi identifikuar disa probleme logjistike që janë të nevojshme. Zgjodhëm mjetin Biçikletë sepse e kuptojmë që ka një lloj shkëputjeje të Policisë me komunitetin. Ne kemi krijuar edhe një kontakt të fortë me Bashkinë për të ngritur zyrat e punonjësve tanë të Policisë sipas zonave të Policisë”.

Ndërsa zv/ministrja e Brendshme, Kuko vendosi theksin te rritja e cilësisë së shërbimit të Policisë ndaj komunitetit dhe se kjo nismë pas Elbasanit do të shtrihet edhe në DVP-të e tjera të vendit.
“Për shumë muaj ju keni bërë një punë sistematike edhe serioze përsa i përket pilotimit të ristrukturimit të Drejtorisë, duke i dhënë një fokus të veçantë Komisariatit dhe pjesës së Policisë në terren, dhe kjo është me të vërtetë për t’u përgëzuar sepse në radhë të parë shënon ndryshim mentaliteti.
Elbasani është DVP e parë që po e zbaton këtë, por ne kemi shpresë sigurisht që ta implementojmë edhe në qytete të tjera.
E para është rritja e cilësisë së shërbimit të Policisë ndaj komunitetit, njohja nga komuniteti e Oficerëve të Policimit në komunitet, marrëdhënia që do të vendosim me aktorët e tjerë lokalë, por gjithashtu edhe forumet qytetare për sigurinë publike, në të cilat do të jemi të gjithë bashkë për të diskutuar për çështjet e Sigurisë.”/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.