Merr zgjidhje furnizimi me ujë në tre zona të Tiranës

TIRANË, 22 Mars/ATSH/-Tre zona të ndryshme të qytetit të Tiranës kanë marrë zgjidhje të shqetësimit të furnizimit me ujë të pijshëm.

Bashkia e Tiranës ka ndërtuar një lidhje të re me rrjetin e ujësjellësit në rrugën e “Barrikadave”, e cila është tepër e rëndësishme për të mundësuar akses dhe shërbim cilësor për të gjithë.

Një tjetër investim i rëndësishëm është dhe rikonstruksioni i linjës së furnizimit me ujë në rrugën “Xhemollari” në Shkozë, e cila shumë shpejt u vendos në funksion të plotë për të siguruar kështu cilësi dhe siguri maksimale të furnizimit për të gjithë banorët. Nga kjo ndërhyrje është bërë i mundur furnizimi nga tubacione të reja me materiale bashkëkohore dhe cilësi maksimale. 

 Ndërkaq, pas sinjalizimit të banorëve përmes telefonit në numrin e gjelbër 08004488, Bashkia e Tiranës ka përfunduar me shpejtësi lidhja e re e rrjetit të furnizimit me ujë për banorët e zonës në “Komunën e Parisit”. Grupet e punës së UKT shtruan linjën e re e cila u mundëson banorëve akses më cilësor në rrjetin e shpërndarjes.

Përveç investimeve në linjat kryesore të furnizimit me uji, UKT ka vijuar punën edhe për shtrirjen e investimeve në rrjetin e shpërndarjes së ujit në mënyrë kapilare. z.tosku/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.