Mbi 550 efektivë të FA-së të angazhuar në zonat e përmbytura

TIRANË, 22 Mars/ATSH/- Për përballimin e situatës së përmbytjeve në zonën e Shkodrës janë angazhuar mbi 550 efektivë të Forcave të Armatosura, të cilët janë 24 orë në shërbim të banorëve.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka inspektoi sot zonat e përmbytura në Anën e Malit dhe në Dajç të Shkodrës.

Ministrja u shpreh se “FA janë pranë banorëve prej ditës së parë, ndërsa bashkëpunimi mes të gjitha strukturave, qendrore vendore dhe banorëve është më i rëndësishmi”.

Prioritet, sipas Xhaçkës është evakuimi i banorëve dhe i gjësë së gjallë. “Në 10 ditë janë evakuuar mbi 2500 krerë bagëti. Ndërkohë kanë mbërritur 90 ton koncentrat dhe pritet të mbërrijnë edhe 300 ton koncentrat për bagëtinë”, tha Ministrja e Mbrojtjes.

Xhaçka kërkoi që çdo strukturë të mbaj përgjegjësitë e saj. Sipas saj, “janë vendosur 2000 thasë në argjinaturën e Pentarit, ndërsa gjatë gjithë ditës së sotme është punuar për mbrojtjen e argjinaturës së Çasit”.

Në takimin me banorët e Ana e Malit, Xhaçka siguroi se, “shqetësimi juaj është edhe i yni”. “Bashkë me ju do të punojmë për kapërcimin e situatës aktuale dhe për gjetjen e një zgjidhje afatgjatë”, nënvizoi Xhaçka.

Banorët e zonave të prekura vlerësuan angazhimin e efektivëve të FA-së në terren.

Ministrja shoqërohej  nga prefekti Çesk Millja, drejtori i përgjithshëm i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi dhe deputeti i zonës, Luan Harusha./m.m//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.