Haradinaj: Të përmirësojmë gjendjen e arsimit në të gjitha nivelet

PRISHTINË, 22 Mars/ATSH/.- Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në takimin e parë të nivelit të lartë dedikuar arsimit sot në Prishtinë bëri thirrje për mobilizim të gjithë aktorëve të kësaj fushe për përmirësimin e gjendjes në të gjitha nivelet.

“Arsimi në vendin tonë është një temë me rëndësi te veçantë dhe kjo çështje nuk i përket vetëm ministrit të Arsimit, por të gjithëve. Andaj është tejet e rëndësishme të kemi një energji dhe potencial, që në të gjitha nivelet e arsimit të punohet me kapacitetin më të madh dhe kështu të arrihen rezultate më të mira”, tha Haradinaj.

Haradinaj, duke parë rëndësinë që çështjet e Arsimit të kenë adresim të veçantë, propozoi që takime të kësaj natyre, të mbahen çdo muaj, në mënyrë që të arrihet gjetja e ngecjeve dhe zgjidhjeve për problemet në sistemin arsimor të vendit.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, bëri një përshkrim të gjendjes në sistemin arsimor, duke përmendur edhe Planin Strategjik të Arsimit në Kosovë 2017-2021.

Me këtë rast, ministri Bytyqi tha se duhet një bashkërendim i veprimeve të të gjithë akterëve, sepse çështja e arsimit është tema më e rëndësishme nacionale, andaj edhe zgjidhja duhet të jetë nacionale.

Në këtë takim, të pranishëm ishin rektorët e Universiteteve Publike në Kosovë, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akademik Nexhat Daci, drejtues të Arsimit në nivele Komunale, përfaqësues të SBASHK-ut, drejtues institucionesh arsimore dhe ekspertë të ndryshëm të kësaj fushe./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.