Tabela informuese në gjuhët shqip dhe anglisht në kalanë e Gjirokastrës

746

TIRANË, 21 Mars/ATSH/.- Turistët vendas e të huaj që do të vizitojnë kalanë e Gjirokastrës gjatë sezonit të ri turistik 2018 do të kenë mundësi të informohen përmes tabelave orientuese për këtë momunument kulture.

Janë 19 tabela informuese në gjuhët shqip dhe anglisht dhe 9 tabela orientuese, që janë bërë të mundura të realizohen në bashkëpunim dhe me financim të organizatës “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” – CHwB.

Hartimi i projektit për panelet informuese në kalanë e Gjirokastrës mori kohën e vet, orë punë në takime, workshop-e e diskutime dhe angazhimin e shumë njerëzve. Projekti ka kaluar të gjitha fazat e aprovimit dhe ka filluar ndërkohë prodhimi i tabelave të cilat do të jenë gati për sezonin e ri turistik. 2018.

Pritet që ky projekt të rrisë ndjeshëm shërbimin ndaj vizitorëve në këtë monument kulture nga më të rëndësishmit.

Për herë të parë do të hapen për vizitorët edhe ambiente të tjera të kalasë siç janë furrat e pjekjes, pasi të jenë pastruar, ndriçuar e kuruar me kujdes. Edhe kjo ndërhyrje është pjesë e projektit të paneleve.

Kalaja e Gjirokastrës, një nga monumentet më të rralla të këtij lloji, ka pësuar ndryshime dhe zgjerime. Pas pushtimit osman, në fund të shekullit XIV, u bënë përmirësime të gjera nga sulltan Bajaziti II rreth vitit 1490. Nga viti 1811, Ali Pashë Tepelena shtoi shumë elemente, duke përfshirë Kullën e Sahatit në anën lindore. Ai përfundoi fortifikimin e zonës së greminës dhe ndërtoi ujësjellësin e Sopotit, që sillte ujin në kala rreth 12 kilometra larg.

Brenda kalasë janë të ekspozuar një numër topash, të cilët janë pjesë e galerisë së topave, artileri këto që kryesisht janë braktisur apo u janë kapur forcave të pushtuesve nazistë nga Lufta e Dytë Botërore. Në fund fare të kësaj galerie gjendet edhe një tank italian, i prodhuar nga “Fiati” në mes viteve 1941-1943.

Muzeu Kombëtar i Armëve, pjesë e së cilës është edhe Galeria e Topave, është një pasuri tjetër kombëtare, i cili në koleksionin e tij përmban armë nga lashtësia dhe deri te lufta e partizanëve.

Në këtë kështjellë, rrënjët e së cilës datojnë që nga shekulli i 4-të para erës sonë, në kohë të Pirros së Epirit, ekziston edhe Muzeu, që njëherësh njihet edhe si Galeria “Gjin Zenebishi”, e në të cilën rrëfehet historia e Gjirokastrës, duke filluar që nga vendbanimet parahistorike dhe deri në periudhën kur qyteti bëhet një qendër e rëndësishme administrative e Perandorisë Osmane. Aty gjithashtu tregohet historia e lokaliteteve arkeologjike, që shtrihen në luginën e Drinos./k.s/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.